BE

BE i bindet Serbisë, kërkon heqjen e menjëhershme të sanksioneve që i vendosi Kosova

Sot, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka miratuar propozimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për masën tarifore prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Ky vendim ka hyrë menjëherë në fuqi nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe masa tarifore përfshinë të gjitha produktet, përveç brendeve ndërkombëtare.

Ndërkohë që Maja Kocijancic në një përgjigje për lajmi.net, ka kërkuar sqarim të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për vendimin e marrur sot në mbledhjen e saj për tarifën e 10 për qindëshit për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Bashkimi Evropian, kërkon sqarim urgjent për vendimin e papritur të Qeverisë së Kosovës për rritje të taksave të importit të produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic.

Ajo, masat e marra nga Qeveria e Kosovës i ka cilësuar si shkelje ndaj obligimeve të Kosovës sipas CEFTA-s duke konsideruar se ky vendim minon bashkëpunimin rajonal.

“Këto masa janë shkelje e obligimeve të Kosovës sipas CEFTA-s. BE pret që Kosova e cila aktualisht mban kryesimin e CEFTA-S, të përmbushë plotësisht detyrimet e CEFTA-s dhe të revokojë masën”, thuhet në përgjigjen e BE-së për lajmi.net.

Më pas thuhet se “Vendimi i qeverisë së Kosovës minon bashkëpunimin rajonal, duke përfshirë Zonën Ekonomike Rajonale dhe nuk është në përputhje me parimet që mbështesin SAA të BE-së dhe Kosovës”.