Ballkani Perëndimor

BE garanton ofrimin e 750 milionë eurove për bizneset e vogla në Ballkanin Perëndimor

Fondi Evropian i Investimeve (EIF) ka nënshkruar marrëveshje garancie me 11 banka dhe ndërmjetës financiarë në Ballkanin Perëndimor.

Këto marrëveshje do t’u mundësojnë bankave dhe institucioneve financiare vendase të ndërtojnë një portofol kredish për një shumë të përgjithshme mbi 750 milionë euro.

Kjo së bashku me të tjera që priten të nënshkruhen në gjysmën e parë të vitit 2024.

Këto burime financiare synojnë të rrisin qasjen në financa midis bizneseve të vogla dhe të përmirësojnë qëndrueshmërinë e tyre ndaj sfidave të vazhdueshme ekonomike, duke krijuar njëkohësisht kushte për zgjerimin e biznesit, punësimin dhe inovacionin.

Në Ballkanin Perëndimor, kjo pritet të lehtësojë mbi 750 milionë euro kredi koncesionare për rreth 13 mijë biznese të vogla, duke mbështetur rreth 180 mijë vende pune.

Shefi Ekzekutiv i EIF-së, Marjut Falkstedt, tha se, “duke mbështetur bizneset e vogla në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në segmentet më të dobëta dhe të brishta, këto burime financiare të gjera do të përmirësojnë kapacitetin e këtyre bizneseve për t’u rritur, duke kontribuar në të njëjtën kohë në integrimin e mëtejshëm brenda ekonomisë së BE-së”.

“Duke vepruar kështu, këto fonde të konsiderueshme do të ofrojnë shtysë shtesë për zhvillimin e ekonomive rajonale të fuqishme dhe konkurruese, si dhe avancimin e tyre brenda zinxhirëve të vlerës globale”.

Nga ana tjetër, Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi tha se, “jemi të lumtur që jemi partnerë me EIF-në për të përmirësuar aksesin në financa të përballueshme për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Ballkanin Perëndimor”.

Falë kësaj garancie prej 60 milionë eurosh, sipërmarrjet vendase do të përfitojnë kredi me kushte të favorshme, si norma më të ulëta interesi, kërkesa të reduktuara për kolateral dhe maturime më të gjata, në momentet kur nevoja për kredi është e lartë.

Megjithatë, kushtet financiare janë të vështira.

Prandaj këto fonde do të kontribuojnë në vendosjen potenciale të kredive me vlerë mbi 750 milionë euro.

Fondi Evropian i Investimeve (EIF) është pjesë e Grupit të Bankës Evropiane të Investimeve.

Misioni i saj qendror është të mbështesë sipërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të Evropës (SME-të) duke i ndihmuar ato të kenë akses në financa.

EIF harton dhe zhvillon kapitalin e sipërmarrjes dhe rritjes, garancitë dhe instrumentet mikrofinanciare që synojnë në mënyrë specifike këtë segment të tregut. Në këtë rol, EIF nxit objektivat e BE-së në mbështetje të inovacionit, kërkimit dhe zhvillimit, sipërmarrjes, rritjes dhe punësimit.