Politikania gjermane nga radhët e të gjelbërve majtistë e njëkohësisht raportuese për Kosovë në Parlamentin e Europës, Viola von Cramon, shpreson se në vitin 2021 Bashkimi Europian do t’i liberalizojë vizat për kosovarët. Shtoi se pret që administrata amerikane e Biden të jetë më bashkëpunuese se ajo që shkon me 20 janar.
Von Cramon kishte mospajtime me Emisarin e Presidentit Amerikan për Dialogun, Richard Grenell, që e kishte kritikuar ngathtësinë e BE’së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Ajo kishte kritikuar atë për diplomacinë e tij më shumë kur u rrëzua atëkohë kryeministri kosovar Albin Kurti me të cilin ka marrëdhënie më të mira.
Megjithëse, këto mospajtime nuk janë më dhe tani ideja amerikane e një intervenimi me platformë ekonomike së pari në dialogun Kosovë-Serbi mbështetet nga europianët, rrëzimi i Kurtit i ka lënë si duket shije të keqe von Cramon. Arritja e marrëveshjes me 4 shtator në Washington ishte dëshmi për këtë ngathtësi të cilën Grenell ja kishte thënë publikisht von Cramon si raportuese në PE për Kosovë, sa i përket liberalizimit të vizave.
Ajo shpreson se me ardhjen në pushtet të demokratëve në Amerikë me presidentin Joe Biden, Evropa do gjejë partnerin e munguar për gati katër vite sa në pushtet ishte Donald Trump.
“Shpresoj se do të flasim me një zë, se nga Washingtoni ne do të kemi më shumë përkrahje sesa në tre vite e gjysmë që i kaluam. Besoj se do kemi njerëz që vijnë nga Departamenti i shtetit e Shtëpia e Bardhë e që e kuptojnë dialogun dhe rajonin më mirë sesa Administrata që po shkon”, tha Von Cramon për Klan Kosova.
Ndërkohë ka shumë mëdyshje e qëndrime politike se cili do të jetë rezultati final i bisedimeve kosovare –serbe.
Vetë raportuesja thotë se mëtohet të ketë ujdi me të cilën pajtohen të dyja palët me kompromis dhe se presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq e sheh si personin që kryen punë në këtë aspekt kah ana e Beogradit.
“Presidenti Vucic, ka shumicë të fortë në Parlament. Ai e konsideron veten si president të fortë dhe unë nuk e kuptoj pse ai s’do të ishte në gjendje të gjejë mundësinë për një marrëveshje me Kosovën. Nuk shoh ndonjë mundësi tjetër dhe gjërat s’mund të përshtaten më mirë se tani. Ne duhet të punojmë me ata që janë në pushtet dhe jam goxha optimiste se do gjejmë zgjidhje”, përfundoi Viola Von Cramon.






