BBC parashikon ardhjen e stuhisë “Filomena” në Kosovë e në mbarë Ballkanin

Stuhia “Filomena” ka goditur pjesë të ndryshme të Spanjës, duke shkaktuar probleme të mëdha nga dëbora, sidomos në kryeqytetin Madrid.

Madridi, një nga zonat më të prekura, ka parë deri në 20 cm dëborë. Më në jug, stuhia bëri që lumenjtë të dilnin nga brigjet e tyre.

Katër vdekje janë raportuar deri më tani si rezultat i “Filomenas”. Zyrtarët thanë se dy persona u gjetën të ngrirë për vdekje – njëri në qytetin Zarzalejo, në veriperëndim të Madridit dhe tjetri në qytetin lindor të Calatayud.

Dy persona që udhëtonin në një makinë u morën me vete nga përmbytjet pranë qytetit jugor të Malaga.

Ndërsa bora ra në Madrid të premten në mbrëmje, një numër automjetesh u bllokuan në një autostradë pranë kryeqytetit. Aeroporti i qytetit Barajas është mbyllur, së bashku me një numër rrugësh, dhe të gjitha trenat nga Madridi janë anuluar.

Ndërkaq, stuhia që ka goditur Spanjën pritet të zhvendoset javën e ardhshme drejt rajonit të Ballkanit. Parashikimi i motit i rrjetit të BBC, bën me dije se stuhia me reshje të shumta shiu dhe dëbore do të përfshijë Kosovën, Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën, por edhe Kroacinë e Bullgarinë.

Parashikuesi i motit në BBC, Chris Fawkes, tha: “Do të ketë goxha shumë borë në Ballkan. Rreth 20cm borë do të bie në pjesë të Kroacisë, Bosnjës dhe në Kosovë, Serbi por edhe në zonat veriore të Bullgarisë. Kjo borë mund të shkaktojë probleme në transport në këto zona”.

Kosova ka tash e disa ditë që është përfshirë nga një mot me të reshura atmosferike. Nga shiu që filloi kah mesi i javës së kaluar, e që zgjati për rreth dy ditë, filluan të reshurat e borës që u përcollën me vërshime në shumë pjesë të vendit, kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit. Edhe sot po vazhdon të ketë të reshura të shiut e të borës në zona të ndryshme