Televizioni britanik

BBC news, për krimet serbe në Kosovë: Të mos i harrojmë viktimat shqiptare të varrosura në Batajnicë

Një hark betoni mbi rrugën midis fushave në Batajnicë, afër Beogradit, e cila çon në bazën e policisë të rrethuar me shkurre. Disa qindra metra pranë bazës ka një tabelë ku shkruan “Ndalohet  vëzhgimi, fotografimi dhe hyrja”.

Aty është një kishë, një kombinat bujqësor i shkatërruar, shtëpi të vogla të fshatit, një kopsht fëmijësh – asgjë që do të tregonte se këtu janë fshehur viktimat e krimeve të kryera 400 kilometra larg – në Kosovë.

Siç shkruan BBC news edicioni në gjuhën serbe, njëzet vjet më parë, autofrigoriferë me qindra kufoma shqiptare të Kosovës kaluan nën këtë hark. Ishte një përpjekje e autoriteteve serbe për të fshehur vrasjet masive të kryera në Kosovë.

Gërmimet e para të varrit masiv në Batajnicë filluan më 2 qershor 2001, por fshehja dhe komploti i heshtjes vazhdojnë edhe më tej, thonë aktivistët.

“U gjetën dy biberonë”

“Këtu u gjetën eshtrat e anëtarëve të familjes Berisha Në mesin e tyre ishin Genci katërvjeçar dhe Graniti, i cili ishte vetëm dy vjeç, si dhe Liria, i cili ishte tetë muajsh shtatzënë”, tregon avokati dhe aktivisti Mirko Medenica në një tubim publik të organizuar nga Qendra për Histori Aplikative në prill të vitit 2019.

Jelena, njëra prej shumë pjesëmarrësve në këtë tubim, pyeti se kush ishin viktimat, çfarë po bënin, sa vjeç ishin. Procesverbali i bërë gjatë zhvarrosjeve jep vetëm një pjesë të përgjigjes.

“U gjetën gjithashtu edhe dy biberona, disa prerëse për thonjsh, çelës për hapjen e shisheve, sfera qelqi (lodra fëmijësh), stoli ari, orë, lapsa, rruaza, krehër”, tha Medenica.

Deri më tani, në Batajnicë janë zhvarrosur 744 trupa, në mesin e të cilëv kishte edhe fëmijë. Pas zhvarrimit, varrezat masive u mbuluan, u rrafshuan dhe mbi to tani kryhet trajnimi i forcave speciale të policisë.

Baza në Batajnicë është bazë e Njësisë Speciale Antiterroriste të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për ish-Jugosllavinë ka përcaktuar se rolin kryesor në fshehjen e krimeve ndaj shqiptarëve e kishte Vlastimir Gjorgjeviq, udhëheqës i Departamentit të Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të  Brendshme.

Është vërtetuar se transferimi i trupave është kryer me urdhër të Presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Slobodan Milosheviq, transmeton Telegrafi.

Sidoqoftë, për këtë varrezë masive sot flitet pak. Shumëkush nuk e di se çfarë kishte afër Beogradit, aq më pak se çfarë po ndodhte në Kosovë në vitet 1990.

Qendra për Histori Aplikative dhe disa organizata të tjera janë duke u përpjekur që e vërteta për Batajnica të mos mbetet nën tokë.

“Përmes vizitave në vendeve publike, që dëshmojnë për ngjarje historike, ne përpiqemi të inkurajojmë biseda rreth temave të shtypura, por të rëndësishme”, tha Ruzhica Deviq, bashkëpunëtore e BBC news në serbisht.

Serbia nuk dëshiron të dëgjojë për krimet

Lulaverja po jetonte me burrin e saj Besimin, djalin dhe vajzën në Pejë më 27 mars 1999, kur policët serbë, përfshirë këtu edhe fqinjët e tyre hynë në oborrin e tyre.

“Besimin e rrëzuan përtokë dhe e rrahën në oborr, ndërsa vajza qante dhe klithte”, ka treguar Lulaverja për Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

“Burri deshi të çohej, por ata nuk e lejuan, kështu që shkova unë. E mora unë. I thashë asaj, Hana mos qaj, tani do të vijë edhe babi. Pastaj qëlluan me armë mbi burrin dy herë”, thotë Lulaverja.

Familja e Besimit u largua nga qyteti të nesërmen. Pasi u kthen, trupin e tij nuk e gjetën.

Tre vjet më vonë, eshtrat e Besimit u gjetën në varrezën masive në Batajnicë.

Si i ka përshkuar Tribunali i Hagës ngjarjet në Kosovë

Prokuroria e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi krimet në Kosovë i ka përshkruar si një ndërmarrje e përbashkët kriminale e cila drejtohej nga Presidenti i atëhershëm i Jugosllavisë Slobodan Milosheviq.

Aktakuza për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës në Kosovë u ngrit në vitin 1999 kundër Millosheviqit, Presidentit të Serbisë Milan Milutinoviq, Zëvendëskryeministrit Jugosllav, Nikola Shainoviq, Shefit të Shtabit të Ushtrisë Jugosllave Dragolub Ojdaniq dhe Ministrit të Brendshëm Vlajko Stoilkoviq.

Millosheviq u akuzua gjithashtu për gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe për krime kundër njerëzimit, shkelje të Konventës së Gjenevës dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës në Bosnjë dhe Kroaci, por vdiq në paraburgim në vitin 2006,  para përfundimit të gjykimit ndaj tij.

Nikolla Shainoviq u dënua me 18 vjet burg dhe u kthye në Serbi në vitin 2015, pasi vuajti dy të tretat e dënimit. Ai menjëherë u bë anëtar Këshillit Drejtues të Partisë Socialiste të Serbisë.

Ojdaniq u dënua me 15 vjet burg dhe u lirua në vitin 2013, gjithashtu pasi vuajti dy të tretat e dënimit. Vlajko Stoilkoviq kreu vetëvrasje në vitin 2002 në Beograd.

Milan Milutinoviq u shpall i pafajshëm.

Rreth 13.500 njerëz u vranë gjatë konfliktit në Kosovë, sipas të dhënave të mbledhura nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Në të njëjtën varrezë masive nga viti 2001 janë gjetur mbetjet e viktimave të krimeve masive në 10 lokalitete të Kosovës – Suharekë, Meje, Qyshk, Lybeniq, Sllovi, Vuçitërn, Nakaradë, Gjakovë, Pejë dhe Fushë Kosovë.

Sipas Medenicës, policia, formacionet paramilitare dhe ushtria kryesisht kishin të njëjtën taktikë – ata do të rrethonin një fshat ose një pjesë të një vendbanimi dhe më pas do ta granatonin atë.

“Më pastaj do të hynin, do të kontrollonin shtëpitë dhe gjatë kontrollit ndodhte që dikush të vritej”, thotë ai.

“Ata do t’i ndanin njerëzit në grupe, kryesisht do t’i ndanin burrat të cilët do t’i vrisnin, e këtë e bënin atë të futur frikë dhe për t’i detyruar njerëzit të iknin”, thekson Medenica, transmeton Telegrafi.

Gratë dhe fëmijët i dërguan në kufirin me Shqipërinë.

“Kufomat e para u sollën në Batajnicë më 6 prill 1999, në orët e para të mëngjesit”, shtoi ai.

Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se në opinionin serb nuk ka interes për këtë temë.

“Opinioni nuk është i informuar për këtë dhe shumica madje nuk shohin ndonjë problem në këtë”, thotë Ivana Zhaniq, drejtori ekzekutiv i FDH.

Fondi për të Drejtën Humanitare ka publikuar dëshmitë e dëshmitarëve të mbijetuar dhe të afërmve të viktimave në uebfaqen e Batajnica- Iniciativa për Memorial.

Në vend të një qendre memoriale, një kishë aty pranë

Që nga viti 2015, FDH angazhohet për ndërtimin e një qendre përkujtimore në Batajnicë, por nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim.

“Serbia së pari duhet të pranojë që pushteti serb fshehu provat, të pranojë që ndoqën politika të gabuara dhe pastaj të ndryshojnë librat shkollorë të historisë për nxënës”, thotë Ivana Zhaniq.

Marko Milosavleviq nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut thotë se përmes bisedave me të rinjtë, ata po përpiqen t’i orientojnë ata që vet të vijnë te pyetjet dhe përgjigjet.

“Ne po përhapim njohuri për krimet e luftës duke botuar botime, duke folur. Filmat me tema të tilla, siç ishte filmi ‘Thellësia dy’ e Ognjen Glavoniqit, gjithashtu ndihmojnë për të kuptuar situatën”, thotë ai.

Varrezat në Batajnicë nuk janë të vetmet.

Trupat e shqiptarëve u gjetën gjithashtu në gurthyesin Rudnica afër Kosovës, në qendrën stërvitore të policisë në Petrovo Selo në lindje dhe pranë liqenit Perucac në perëndim të Serbisë.

Këto vende janë shënuar edhe në hartën interaktive të krimeve në Serbi të publikuar nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, transmeton Telegrafi.

“Historitë njerëzore janë varrosur gjithashtu”, thotë Milosavleviq.

“Është një fushë e çimentuar për të cilën nuk flitet më.”

Në vend të një monumenti për viktimat, në Batajnicë në vitin 201 u ndërtua një kishë ortodokse, e cila provokoi dënimin e qeverisë së Kosovës dhe kritikat e një pjese të opinionit serb.

* Gazetarja serbe e BBC mori pjesë në një procesionin publik deri te vendi i varrezës masive në Batajnicë më 6 prill 2019