BB: Deri në 150 mijë njerëz në Kosovë mund të bien në varfëri si pasojë e pandemisë. Reagon Ahmeti

Banka Botërore vlerëson se deri në 150 mijë veta në Kosovë mund të bien në varfëri, për shkak të pandemisë COVID-19.

Një studim i Bankës Botërore konstaton se pandemia do të rrisë nivelin e varfërisë dhe të papunësisë në Ballkanin Perëndimor.

Në raportin e BB-së, kur flitet për Kosovën, thuhet se me ndërprerjen e aktivitetit ekonomik dhe rënien drastike të remitencave si rezultat i COVID-19,ka gjasa që efektet në varfëri në Kosovë të jenë të konsiderueshme.

“Një numër i shumë i madh individësh pritet të humbasin vendin e punës, veçanërisht ata me kontrata me afat të caktuar, punëtorët sezonalë dhe të punësuarit në sektorin informal. Kosova ka një sektor të madh ndërtimi, i cili është veçanërisht i ndjeshëm pasi përbën një burim të rëndësishëm të të ardhurave për shtresat e varfra dhe të cenueshme në zonat urbane. Në të vërtetë, simulimi i kryer për këtë shënim sugjeron se 148,000 – 57,000 njerëz mund të bien në varfëri, ndërsa klasa e mesme mund të tkurret me rreth 100,000 njerëz”, thuhet në raportin e BB-së.

Sipas studimit të Bankës Botërore, kjo është ekuivalente me një rritje prej 4-10 pp të shkallës së varfërisë. Megjithëse asistenca sociale është një burim i rëndësishëm i të ardhurave për të varfrit (rreth 15 për qind në 2017) dhe në njëfarë mase do t’i mbrojë ata nga efektet e krizës, më shumë se gjysma e njerëzve që do të bien në varfëri nuk përfitojnë nga asnjë program aktual i përkrahjes sociale (megjithëse rreth 40 për qind e tyre marrin pension), duke rritur kështu nevojën për zgjerim të mbulimit dhe ndoshta edhe bujarinë e programit të transfertave në para fizike me qëllim lehtësimin e efekteve nga rënia e të ardhurave.

Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.

“Banka Botërore në raportin e saj mbi efektet ekonomike të COVID19 ka thënë se prej 57 mijë deri në 148 mijë njerëz në Kosovë mund të bien në varfëri. NJËQIND E DYZET E TETË MIJË. NJËQIND E KATËRDHJETË E TETË MIJË. Në anglisht ekziston një shprehje që përdoret për krejt tjetërçka por po më pëlqen sonte. For Whom the Bells Toll Për kënd bien këmbanat?”, shkruan Ahmeti.