Shkruan: Baton Haxhiu
E paska pasur seriozisht kur thoshte se dialogu nuk është vetëm me Serbinë, por edhe me botën perëndimore, me miqtë tanë strategjikë, madje edhe me Rusinë, por vetëm nëse vjen e veshur si president i Letonisë, me një mikrofon në gojë dhe një kamerë që xhiron për YouTube.
Kështu nisi një nga momentet më tragji-komike në historinë e diplomacisë kosovare, një bisedë imagjinare e Kryeministrit të Kosovës me një president imagjinar, në një botë ku vetëm njëri e kishte seriozisht – ai që ishte real.
Nuk është se ra në kurth, edhe të tjerë kanë rënë, por asnjëri s’ka rënë me këtë nivel vetëbesimi, pa drojë, pa filtër, dhe me dëshirën e zjarrtë për të shpërndarë të gjitha mendimet intime për mediat vendore, biznesmenët e Prishtinës, Grenellin, dhe çdo gjë tjetër që nuk i kërkohej.
Kur bashkëbiseduesi i thotë se është gay, Kryeministri jonë shkëlqen, ndjen një afërsi njerëzore, i kujtohet Grenelli, ia thotë në fytyrë, si për të treguar që është i informuar, që di gjëra, që është brenda, brenda shumë thellë, ndoshta më thellë se duhet
Një koktej perfekt i asaj që në shqip quhet i pa përmbajtshëm, por në gjuhën e protokollit quhet i pa përgatitur, dhe në zhargonin diplomatik mund të përkthehet si tmerr i përfaqësimit.
Në vend të ruajë distancën, ai i afrohet bashkëbiseduesit të rremë me përkushtimin e një ideologu që më në fund ka gjetur një shpirt të afërt, fillon e flet për luftën hibride, për median që është nën ndikim, për njerëz që janë problem, për Serbinë, për Rusinë, për gjithë botën, përveç vetes që është në grackë dhe as që e di.
Ai që flet kundër ndikimit rus e serb, është pikërisht ai që flet me zell me një produkt tipik të luftës hibride. Kjo është ironia e plotë, që nuk ka nevojë për shpjegim. Mjafton ta shohësh.
Mungon vetëm një moment që Kurti t’i thotë presidentit imagjinar, hajde, kur të jesh në Prishtinë, po të çojmë te ‘Soma’ me shoqninë, sepse distanca diplomatike është për burokratët, Kurti bën diplomaci siç bën debat në studio televizive, me nerva, pasion dhe mungesë frenimi.
Është një version i Bisedës në oborr me lagjen duke pi raki, ku përmenden individë, etiketime, linçime dhe ndjesi personale, sikur po flet me axhen në kafe, dhe jo me atë që beson se është një lider europian.
A është ky një episod i izoluar, apo një dritare në mënyrën si flet me liderë të tjerë botërorë, nëse edhe Macron, Scholz apo Grenell kanë dëgjuar të njëjtin repertor, atëherë historia e Kosovës ka hyrë në fazën e saj më teatrale, ku aktori kryesor nuk dallon më mes realitetit dhe improvizimit.
Një video për të qeshur me lot, por jo nga gëzimi, nga ajo e qeshura që të ngel në fyt, nga ato që sapo mbarojnë, të vjen të thuash, s’po e besoj që ky njeri përfaqëson shtetin tim.
Një spektakël amator, i montuar nga dy komedianë rusë, që s’e kishin menduar as vetë se sa material komik do nxirrnin nga një kryeministër që e merr veten shumë seriozisht, e askënd tjetër jo, dhe që flet me bindjen se çdo fjalë që nxjerr është profeci, edhe kur po bie me kokë në grackën më banale të inteligjencës ruse.
Sepse në fund të fundit, kjo nuk është thjesht tallje, kjo është një shuplakë në fytyrën e seriozitetit institucional, një thirrje për të kuptuar se nëse nuk kemi ende protokoll që verifikon kush është në anën tjetër të linjës, s’na duhet as politikë e jashtme, as strategji, as koordinim, mjafton një mikrofon dhe një Zoom, dhe bëhemi gazi i botës
Për ata që e shohin këtë si një rast për të kaluar, një gabim njerëzor, një incident pa peshë, kemi vetëm një thirrje miqësore, të qeshni tani, sa jemi gjallë, se kur të qajmë, do jetë tepër vonë.







