Bastoret as që e bëjnë hesap Kosovën kundër Spanjës, këto janë kuotat

Shtëpitë kryesore të basteve botërore janë duke e favorizuar tejet shumë Spanjën kundër Kosovës për ndeshjen e Grupit B kualifikues për Kupën e Botës sonte në Sevillë.

Spanja dhe Kosova do të përballen sonte në orën 20:45, në rrethin e tretë të Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit në stadiumin “La Cartuja” në Sevillë.

Njëra prej shtëpive më të mëdha të basteve, bet365, e sheh Spanjën si favorite absolute pasi i ka vënë kuotën 1.06 për të fituar, derisa fitores së mundshme të Kosovës i vë kuotë jashtëzakonisht të lartë, 31. Barazimi vlerësohet me kuotën 11.

Edhe shtëpitë e tjera të basteve e favorizojnë dukshëm kombëtaren sllovene përballë dardanëve. Madje, sipas kuotës së William Hill gjasat e Kosovës për të fituar janë 41.

As Spanja e as Kosova nuk vijnë në këtë takim në formën e tyre më të mirë, megjithatë.

Furia e kuqe i ka fituar vetëm dy prej pesë ndeshjeve të fundit në të gjitha garat, duke e humbur një dhe duke barazuar në dy të tjera.

Verdhekaltrit, në anën tjetër, i kanë humbur tri prej pesë ndeshjeve të fundit, duke i fituar dy të tjera dhe duke barazuar në një tjetër.

Derisa Spanja përjetoi barazim zhgënjyes 1:1 me Greqinë në ndeshjen e saj hapëse në kualifikime për Botërorin e Katarit para se ta mposhte Gjeorgjinë me zor në ndeshjen pasuese, Kosova u mposht bindshëm 3:0 nga Suedia në ndeshjen e saj hapëse në Prishtinë.

Grupit B i prin Suedia me gjashtë pikë pas dy ndeshjeve, e ndjekur nga Spanja me katër pikë. Greqia është e treta me një pikë pas një ndeshjeje.

Kosova është e katërta pa pikë pas një ndeshjeje, ndërsa Gjeorgjia e fundit pa pikë pas dy humbjeve në dy ndeshje.