Bashkimi Kosovë-Shqipëri, Mero Baze: Nuk është më tabu, Serbia kërkon riformatim të Ballkanit

Gazetari Mero Baze foli për emisionin “Tiranë-Prishtinë” në ABC në lidhje me mundësinë e bashkimit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Baze tha se kjo nuk është një temë tabu por shtoi se kjo nuk varet më nga Shqipëria. Ai tha se Kosova duhet të garantojë pavarësinë e saj dhe të vendosë në lidhje me pozitat që do të vendosë të mbajë.

“Bashkimi Shqipëri Kosovë nuk është më temë tabu. Por nuk varet më nga Shqipëria. Mbi të gjitha është çështje e Kosovës. Ajo duhet të mbyllë raportin e njohjes reciproke me Serbisë ose të përparojë në hapat e stabilizimit. Ne nuk mund të sillemi si pushtues nga Kosovës, Kosova duhet të garantojë pavarësisnë e saj dhe pastaj të tregojë vullnetin e saj. Serbia kërkon riformatim të Ballkanit. Nuk e dimë nëse jemi përballë një paqe apo një lufte të re. Kosova të ketë guximin të negociojë të ardhmen e vet. Kosovocentrizmi është nacionalizëm modern në Kosovë. Ata janë ata që duan atë katundin e vogël”, deklaroi Baze.

Ai u ndal edhe te raporti i Kosovës me drejtësinë duke komentuar edhe burgosjen në Hagë të disa prej ish-zyrtarëve të saj.

“Është fat që në vitin 1999 në Shqipëri ishte në pushtet e majta. Sepse u bë pro Kosovës. Kjo e shpëtoi historinë. Sepse më vonë socialistët flisnin për Kosovën si për vendin e tyre.  Kosova kishte hallet dhe problemet e veta. Nuk kishte shtet fare. Nga Kosova vinin mashtrues për investime në Shqipëri dhe shkaktonin problem. Disa simbole të tilla që mjaftonin për ta ilustruar. Ishte shumë e rrezikshme. Për mua gjithë historinë e zgjidhi viti 1999. Deri në atë kohë për mua ka qenë një situatë gati raciste. Nuk ekziston më.

Edhe shoqëria e Kosovës ka një nivel të prapambetur në raport me drejtësinë. Nuk e ka kulturën e drejtësisë shoqërore. Fakti që pas viteve 2000 nuk dënoi dot krimet e veta, nuk mbajti raport me të vërtetën. Fakti që Kosova nuk kishte vetëdije për drejtësinë dhe të drejtën, bëri që sot udhëheqësit e Kosovës të jenë në Hagë. Njerëz që luftuan kundër spastrimit etnik po dënohen si kriminelë lufte. Sepse vetë shoqëria e Kosovës nuk ka qenë reflektive. Kur vjedh nuk vjedh si serb por si qytetar. Kosova duhet ta tejkalojë këtë ngërç. Është çështje e raportit që ti ke me të drejtën”, u shpreh ai.