Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e madhe që ka marrë nga banorët e Strellcit të Epërm dhe Strellcit të Ulët. Në një postim në rrjetet sociale, Ramosaj është shprehur se është ndjerë “jashtëzakonisht i nderuar” me mikpritjen dhe përkrahjen e qytetarëve të kësaj zone.
“Fryma e fitores sonë më 12 tetor tashmë ndihet kudo,” ka thënë Ramosaj, duke shtuar se respekti dhe besimi i treguar ndër vite ndaj Ramush Haradinajt, Aleancës dhe ndaj tij personalisht është një shtysë e fuqishme për të vazhduar punën.
Ai ka falënderuar qytetarët për vullnetin që ky besim të rikonfirmohet edhe më fuqishëm në zgjedhjet e 12 tetorit, si ndaj tij si kryetar, ashtu edhe ndaj përfaqësuesve të Aleancës në Kuvendin Komunal – Rea Mahmudemaj, Faruk Hasanramaj dhe Sami Rabushaj.
“Do të jemi bashkë gjithmonë,” ka përfunduar Ramosaj mesazhin e tij.







