Zhvillimi i turizmit

Bashkim Ramosaj dhe kryetarët tjerë të komunave kufitare mblidhen në Bogiçe për t’i dhënë hov edhe më shumë zhvillimit të Bjeshkëve të Nemuna

Sot në vendin e quajtur Dvojnicë mbi Bogiçe dhe poshtë majës së njohur si “Tromegja” (tre kufiri) u mbajt takimi i kryetarëve dhe përfaqësuesve të gjashtë komunave kufitare Kosovë – Mali i Zi – Shqipëri, i Parqeve Kombëtare dhe Policisë Kufitare, me iniciativë të aktivistëve dhe bashkëpunëtorëve që kanë njëzet vjet që merren me këto çështje.

Qëllimi i tubimit ishte vazhdimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërkufitar dhe përkrahja për të gjitha aktivitetet që kanë pasur deri më tani dhe që janë në vazhdim, shkruan Ballkani.info.

Hapi tjetër është nënshkrimi i një memorandumi të përbashkët bashkëpunimi me udhëzime dhe veprime të qarta dhe të sakta.

Konkretisht bëhet fjalë për mbrojtjen e masivit të Bjeshkëve të Nemuna në tri shtete, dhe bashkimin e të tri parqeve në një Park Kombëtar të njohur ndërkombëtarisht, përmes institucioneve të administratave vendore dhe shtetërore.

Hapi tjetër i përbashkët është organizimi i manifestimit dimëror në Bogiç “Një ditë, një majë, skijim i  tri vendeve”.

Në parim, përfaqësuesit e tri shteteve kanë rënë dakord se si do të shkojnë me radhë lëvizjet dhe aktivitetet në mënyrë që idetë të marrin mbështetje institucionale në të tri vendet dhe që një ditë të gjitha këto propozime të dilnin në tryezë në formë zyrtare në qeveritë e të trija vendeve, e më vonë në Komisionin Evropian dhe në adresat tjera relevante ndërkombëtare që trajtojnë këto tema.

Të pranishëm në këtë takim ishin kryetarët e komunave:

 ● Deçan – Bashkim Ramosaj

● Plavë – Nihad Canoviq, si mikpritës

    ● Tropojë – Rexh Biberaj

● Junik – Ruzdi Shala

  ● Gusi – Sanel Baliq

  ● Pejë – Gazmend Muhaxheri ka munguar me të drejtë dhe ka dërguar disa përfaqësues të komunës së Pejës. /Ballkani.info/