Bashkësia Islame e Kosovës i reagon ambasadorit Qëndrim Gashi pas publikimit të karikaturave tallëse të profetit Muhamed

Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, i ka bërë retweet në Twitterin e tij karikaturat tallëse ndaj Pejgamberit Muhamed.

Kjo ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë, duke e konsideruar si fyerje për myslimanët e Kosovës të cilët ai i përfaqëson si ambador në Paris.

Në rrjetet sociale po kërkohet kërkimfalje nga Gashi dhe dorëheqje, shkruan Ballkani.info.

Ndërkaq, së fundi ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës.

Në një deklaratë për opinion të Kryesisë së BIK-it, thuhet se në fillimin e muajit të datëlindjes së Pejgamberit tonë të dashur Muhamed, kur ne dhe mbarë bota islame ka filluar manifestimet për të përkujtuar, lexuar e studiuar  biografinë e tij te ndritshme  dhe mësimet e tij të shenjta, na vjen publikimi i  karikaturave që ofendojnë Pejgamberin Muhamed  a.s., nga ambasadori ynë në Francë z. Qëndrim Gashi.

“Për ne si Bashkësi Islame  ky akt është i papranueshëm i dënueshëm dhe një veprim i tillë vetëm sa rrit mos durimin, urrejtjen e mosbesimin ndër njerëzor,  ngase cenimi, ofendimi dhe atakimi i  tjetrit, e sidomos kur kjo  ka të bëj me  çështjen e besimit, nuk paraqet asnjë vlerë. Populli ynë njeh për vlerë kultivimin e tolerancës, mirëkuptimin, bashkëjetesën e harmoninë ndër fetare, që është shembull edhe për popujt e tjerë. Harmonia ndër fetare që ne kultivojmë me shekuj mund të jetë shembulli i mirë edhe për popujt dhe shoqëritë tjera”, thuhet në reagim.

Tutje BIK-u thekson se këtë shembull të mirë e vlerë të kombit tonë do të duhej ta ndiqte edhe

ambasadori ynë,  Qëndrim Gashi, e jo të bëj të kundërtën, dhe  me veprimet e tij ti kontribuoj mos durimit e urrejtjes  me bazë fetare. 

“Kërkojmë nga ministria e Jashtme që të distancohet nga veprimi i Ambasadorit Gashi, ngase konsiderojmë që me veprimin e tij ka atakuar  vlerat dhe parimet mbi të cilat populli ynë me shekuj ka ngritur e kultivuar harmoninë e bashkëjetesën ndër fetare. Po ashtu dënojmë aktin kriminal ndaj mësuesit francez dhe në të njëjtën kohë angazhohemi që besimet tona mos të përdorën për urrejtje e mos durim, por për bashkëjetesë, njohje, respekt e dashuri”, thuhet në fund të reagimit. /Ballkani.info/