Bashkëshortja e ish shefit të Interpolit, e frikësuar

Bashkëshortja e ish shefit të Interpolit tha për CNN se është e frikësuar për jetën e saj dhe të dy binjakëve, pasi i shoqi është ndaluar nga autoritetet kineze.

Ai u zhduk pa lënë gjurmë përpara disa ditësh në Pekin.

Gjatë një interviste në Lion të Francës, Grejs Meng tha se ka marrë kërcënime nëpërmjet telefonit nga një i panjohur, kur bashkëshorti i saj rezultonte i zhdukur. Ajo deklaroi se ky person i kishte thënë se dy grupe do ta sulmonin atë.

Grejs Meng u përlot kur përmendi dy djemtë e saj 7 vjeçarë dhe tha se nuk i kishte thënë asgjë për atë që po ndodh me të atin, Meng Hongwei.

“Ndoshta ata e kuptojnë se diçka po ndodh. Kur më shohin të përlotur u them se jam sëmurë me grip”, tha Meng.

Teksa po jepte intervistën, telefoni i ra tre here. Ajo tha se konsullata kineze e ka marrë shpesh në telefon, por ajo refuzon të takohen vetëm me diplomatët. Kusht për takimin janë prania e avokatit dhe e medias.

Bashkëshorti i saj, Meng Hongëei mbajti postin e kreut të Interpolit për dy vjet. Në fund të shtatorit ai fluturoi drejt Pekinit dhe më pas u zhduk. Autoritetet kineze më në fund njoftuan se ai ishte ndaluar si i dyshuar për korrupsion.