Bashkëshortja e Artetas zbulon gjendjen e trajnerit, pas infektimit me koronavirus

Bashkëshortja e Mikel Artetas thotë se trajneri i Arsenalit s’do të ishte ndalur së punuari shkaku i simptomave të koronavirusit dhe shtoi se ai po ndihet mirë.

Lorena Bernal e shfrytëzoi llogarinë e saj në rrjetin sociale Instagram për t’i njoftuar ndjekësit e saj për gjendjen e bashkëshortit, dy ditë pasi u bë e ditur se ai ishte infektuar me koronavirus.

Arteta dhe anësori i Chelseat, Callum Hudson-Odoi, dolën pozitivë në testin për koronavirus dhe e detyruan Premierligës t’i suspendojë ndeshjet deri më 4 prill. David Moyes është gjithashtu në karantinë, pasi që ishte në kontakt me Artetan javën e kaluar.

“Unë dua të ju falënderoj të gjitëhve që më keni dërguar energji të mirë, mesazhe dhe më keni telefonuar. Me të vërtetë ka qenë emocionuese”, ka shkruar Bernal.

“E kuptoj se ju doni ta kuptoni se çfarë po ndodh”.

“Bashkëshorti im po ndihet mirë. Është e vërtetë që ai ka pasur simptoma të virusit, mirëpo ato simptoma s’do ta kishin ndalur atë të mos shkojë në punë në situata normale”.

“Ai vetëm do të kishte marrë ibuprofen ose paracetamol dhe do të kishte shkuar në punë, kështu që nuk është asgjë shumë e madhe”.

“Ka pak temperaturë dhe pak dhimbje koke, por kjo është e gjitha. Kjo është përvoja e tij. Fëmijët edhe unë jemi shumë mirë”.

“Me sa duket virusi nuk është vdekjeprurës. Mund të jetë për disa njerëz të caktuar, mirëpo shumica janë duke e kaluar me simptoma të lehta”.