Bashkëshortja e ambasadorit të SHBA-së përzihet në punët e brendshme të Kosovës, thotë se ka ndikim në pikëpamjet e ambasadorit

Bashkëshortja e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Philip Kosnett, Alison Kosnett ka shkelur protokollin diplomatik duke dhënë publikisht opinionin e saj për zhvillimet politike dhe duke mbështetur kryeministrin në dorëheqje Albin Kurtin.

Alison Kosnett në një postim në Facebook ka shkruar se çkapja e shtetit është e mundur, duke sqaruar se po flet në mbështetje të Kurtit.

“Ai ka të drejtë. Çkapja e shtetit është e mundur”, ka shkruar në postimin e saj. Duke mos respektuar protokollin diplomatik, bashkëshortja e ambasadorit Kosnett ka thënë që këtë ia thotë çdo ditë bashkëshortit të saj, dhe se ka arritur të depërtojë në mendimin e tij dhe ta bindë.

“E kam fjalën për kryeministrin në detyrë”, shkruan ajo në një koment, derisa shpërndan një nga intervistat e Albin Kurtit. E pyetur nga një komentues se a po ia përcjell këto mesazhe bashkëshortit të saj, Kosnett është përgjigjur se e bën këtë cdo ditë.

“Më beso, po depëtoj në bindjen e tij”, ka vazhduar ajo.