Rita Ora

“Bashkëpunim në film e muzikë” ZKM jep detaje për bisedat e Kurtit me Rita Orën, Taika Waititin dhe aktoren Odessa Rae

Zyra e kryeministrit ka dhënë më shumë detaje për takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur të dielën me yllin botëror të muzikës , Rita Ora, bashkëshortin e saj Taika Waititin si dhe aktoren Odessa Rae.

Rita Ora e vizitoi vendlinjen në rastin e ditëlindjes së saj. Ajo vazhdimisht nëpër intervista në media ndërkombëtare ka përmendur Kosovën.

Siç ka njoftuar ZKM-ja në këtë takim është folur edhe për bashkëpunimet në fushën e muzikës dhe filmit, sidomos për mbështetje të artistëve kosovarë.

@ballkani.info “Është një mënyrë e merekullueshme ta festoj ditëlindjen këtu”, Rita dhe burri i saj i shkojnë në zyre Kurtit. Kurti thotë se ndihet krenar #ritaora #albinkurti #takia #rita #kosova🇽🇰 #singer #prishtina #🇽🇰 #💙 #proud #krenari #shqipe ♬ original sound – Ballkani.info

Më poshtë komunikata e plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim artisten e mirënjohur nga Kosova, Rita Ora, njëkohësisht Ambasadore Nderi e Kosovës, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj regjisori Taika Waititi, si dhe aktorja e producentja Odessa Rae, të dy fitues të çmimeve Oscar, e po ashtu edhe nga babai i saj, Besnik Sahatçiu si dhe motra Elena Ora. I pranishëm në takim ishte dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Drejtorja e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri. 

Një e diel e veçantë, ku Rita Ora feston dhe ditëlindjen e saj të 33-të. Gjatë këtij takimi miqësor, ata folën për fushën e artit e kulturës në Kosovë. Duke pasur parasysh planet e qeverisë për zhvilluar industrinë e filmit vendor, u theksuan marrëveshjet e bashkëpunimit që Kosova ka me vendet e saj partnere në fushën e filmit, ku u veçua ai me shtetin e Francës.

U trajtuan dhe mundësitë e format e  bashkëpunimit me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare jashtë vendit, përmes artistëve, muzikantëve e regjisorëve të rinj.

Kryeministri Kurti e cilësoi këtë të diele të këtij takimi të paharrueshme. Duke e uruar dhe për ditëlindjen e saj, ai tha se Rita Ora na bën krenarë të gjithëve, me punën e kontributin e saj.

Nga ana e saj, Rita Ora tha se kjo ishte një mënyrë e jashtëzakonshme për të kaluar këtë ditë të veçantë për të, si dhe veçoi ardhjen e saj në Kosovë sot si dhe takimin me Kryeministrin duke i quajtur frymëzues.

Ajo theksoi dëshirën për t’u angazhuar më tej e thelluar bashkëpunimin sidomos për të kontribuar për artistët e rinj nga Kosova, veçanërisht nga bota e muzikës dhe filmit.