Pas kërcënimeve me dhunë nga përfaqësues të udhëheqësit serb Dodik, Ministrja Gjermane për Evropën, Anna Lührmann (Të Gjelbrit), u shpall person i padëshiruar dhe u detyrua të largohej nga Republika Srpska nën mbrojtjen e policisë, shkruan prestigjozja gjermane Focus.de.

Ministrja për Evropën, Anna Lührmann (Të Gjelbrit), deklaroi se gjatë një vizite në Republikën Srpska të banuar kryesisht nga serbë boshnjakë në Bosnje dhe Hercegovinë, është kërcënuar nga përfaqësues të Milorad Dodik.

Në një video të publikuar në platformat online të premten, Lührmann tha se incidenti ndodhi në fund të një vizite në Banja Luka, selia e qeverisë së Republikës Srpska.

Ajo shpjegoi se kishte mbajtur takime me përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile, por më pas Dodik tregoi sërish “qasjen e tij shkatërruese”. “Përfaqësuesit e tij më kërcënuan mua dhe delegacionin tim me dhunë,” tha ajo në anglisht.

Kjo, sipas saj, është “një shenjë e dobësisë”, duke shtuar se Dodik, ndaj të cilit ekziston një urdhër arresti, është “gjithnjë e më i izoluar” dhe nuk ka mbështetje nga popullsia.

Ndërkohë, qeveria e Republikës Srpska njoftoi se kishte shpallur Lührmann si person të padëshiruar. Ministrisë së Brendshme iu dha urdhër për ta shoqëruar ministren jashtë territorit. Dodik shkroi në rrjetet sociale se policia duhet ta eskortonte Lührmann “sa më shpejt” jashtë Republikës Srpska.