Mbrëmë është raportuar se në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është kapur në flagrancë zyrtarja e Komunës së Junikut, B.S, bashkëpunëtore e kandidatit të AAK-së për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçit.
Sipas raportimeve, ajo dyshohet se ka tentuar që të dërgojë në Mynih të Gjermanisë material të falsifikuar zgjedhor.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë për Ballkani.info se Blerina S. i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.
“Referuar pyetjes suaj ju njoftojmë se lidhur me këtë rast, me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, nga neni 212 të KPRK-së. Lidhur me këtë çështje penale, prokurori i shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka thënë për Laureta Ulaj, zëdhënëse e Pokurorisë për Ballkani.info.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe dega e AAK-së në Junik, e cila ka shkruar se distancohet nga “çdo veprim i kujtdo që në çdo formë tenton ta njollosë procesin zgjedhor!”







