Bashkëluftëtari i Adem Jasharit tregon si ndodhi rrethimi i parë i familjes Jashari dhe si u përballën me policinë serbe

Bashkëluftëtari i komandantit legjendar Adem Jashari, Jakup Nura  ka rrëfyer sulmin që policia serbe ka ndërmarrë para 29 viteve më 30 dhjetor 1991 në Prekaz tek shtëpia e Adem Jasharit.

Ish-ushtari i UÇK-së, Jakup Nura ka shpjeguar se si komandanti Adem Jashari pak para sulmit të policisë serbe në mëngjes i kishte vërejtur forcat serbe tek afrohen pranë shtëpive.

“Në bazë të përshkrimit të Adem Jasharit për sulmin, diku kah ora 22:00 kanë shkuar tek Ilaz Kodra me ndejt. Në mëngjes, janë kthyer në shtëpi sëbashku me Rifat Jasharin. Ademi nuk ka hequr rrobat nga trupi kur ka shkuar në dhomë për të fjetur. Por në një moment është ngritur dhe ka shkuar të marr dru tek dritarja, kur zgjohet i sheh automjetet e policisë duke u afruar. Qohet shpejt dhe i thirrë Rifatin duke i treguar se janë kanë rrethuar, dhe pastaj Hamzën. Rifati ka dalur shpejt poshtë dhe kur del bëjnë plan se si t’ja bëjnë. Pastaj i nxënë pritat”, ka rrëfyer Nura në T7.

Ai ka thënë se në momentin kur disa policë janë afruar afër shtëpisë janë takuar direkt në Adem Jasharin i cili ka shtënë në ta.

“Ademi nga frika që mos ndonjëri nga automjetet e policisë është ndalur afër shtëpisë, ka shkuar në fund të shtëpive. Pastaj i ka ndëgjuar policët duke hyrë tek shkallët 2-3 policë dhe ai i qëllon në gjoks, policët ia kanë kthyer breshërinë në drejtim të tij dhe për një moment ka menduar që e kanë qëlluar por fatmirësisht jo. Por plumbat e Adem Jasharit i kanë kapur policët të cilët kanë bërtitur duke lyp ndihmë. Rastaj Rifat Jashari tek pjesa tjetër e shtëpisë ka shkëmbyer breshëritë e automatikut me policët”, tregon Nura.

Bashkëluftëtari i Adem Jasharit tutje ka treguar se pas shkëmbimit të zjarrit Ademi, Hamza dhe Rifat Jashari janë bashkuar dhe janë tërhequr në malin afër shtëpisë.

“Ademi takohet pastaj me Rifatin, duke u kthyer e takojnë edhe Hamzën, she e shohin që Shaban Jashari ka mbetur brenda përshkak se nuk është zgjuar nga krismat dhe kanë vendosur që të dalin mes shtëpive dhe dalin në malin e tyre. Hamza shkon më përpara me e shiku situatën, dhe pastaj dalin tek lagja e Lushtakëve. Gjatë shkëmbimit të zjarrit kur kanë dëgjuar Ilaz dhe Fadil Kodra kanë shtënë aty ku kanë qëlluar dhe më pastaj bëhen të gjithë bashkë më vonë iu kam bashkëngjitur edhe unë”, ka rrëfyer ai.