“Bashkëjetesa” në Shqipëri, mikpritje dhe falënderime mes shqiptarëve dhe afganëve

Mikpritje, përshëndetje dhe falënderime. Kështu mund të përmblidhet situata që përshkruajnë shqiptarë e afganë, në tre ditë bashkëjetesë në Qytetin Studenti në Shqipëri.

Basir Nadir, gazetar në Afganistan, së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat, prej 28 gushtit është akomoduar në konviktet e Qytetit Studenti. Tri ditë më pas, i ka këto përshtypje: “Para së gjithash dua të falënderoj shqiptarët që na kanë bërë të ndihemi si në shtëpi. Është si një shtëpi për ne. Po e shijojmë qëndrimin këtu”.

Falënderimet për shqiptarët nuk i kursen as bashkëshortja, një aktiviste civile në Kabul. “Ndihem mirë këtu. Na kanë ndihmuar për gjithçka, sidomos me akomodimin”, thotë bashkëshortja e Basirit.

Në zonën përreth konvikteve ku janë akomoduar gjetëm edhe dy ish-punonjës të qeverisë afgane. “Jemi shumë të lumtur këtu. Shqiptarët po na ndihmojnë shumë”, thotë njëri prej tyre. “Njerëzit këtu janë shumë të mirë. Dy ditët e qëndrimit time këtu në Shqipëri kanë qenë shumë mirë”, thotë tjetri.

607 qytetarë nga Afganistani kanë mbërritur deri më tani, ndërsa shumica e tyre thonë se Shqipërinë nuk e shohin si destinacionin përfundimtar.