Kreu i opozitës

Basha: Zbulohet plani i Ramës për vjedhjen e zgjedhjeve, duhet hetim i posaçëm

Kreu i opozitës, Lulzim Basha reagon në lidhje me përgjimet e prokurorisë për rastin “Avdylaj” ku përmendet edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.

Sipas Bashës, Rama ka pasur një plan të mirëmenduar për vjedhjen e zgjedhjeve.

Ai kërkon një hetim të posaçëm për atë që e quan operacion kriminal.

“Tashmë është e qartë për këdo se Edi Rama ka pasur një plan të mirëmenduar e të shtrirë anembanë vendit, për bashkëpunim me krimin për të vjedhur zgjedhjet. Duhet urgjentisht një hetim i posaçëm dhe i pavarur për këtë operacion kriminal.

Vangjush Dako është i pari që duhet të merret i pandehur. Lënia e tij i lirë edhe pasi pranoi mbrëmë publikisht bashkëpunimin me bandat për të dhunuar zgjedhjet, është shkatërrim i demokracisë dhe vdekje e drejtësisë.

Dua t’i kujtoj Donika Prelës dhe Arta Markut se dëmtimi i provave dhe manipulimi i hetimeve për krimet elektorale të Dakos, Ballës, Gjiknurit, Tahirit e të tjerë, është veprim i rëndë kriminal për të cilën ato do të mbajnë shpejt përgjegjësi deri më një. Kur prokuroria mbron krimin, ka rënë shteti”, shprehet Basha.