Basha: Rama ka “vjedhur” 15 mandate në bashkëpunim me krimin

Kreytari i PD-së Lulzim Basha ka hedhur akuza të rënda në drejtim të kryeministrit, duke thënë se të majtët kanë fituar në zgjedhjet e vitit të kaluar plot 10 deri në 15 mandate përmes forcës së krimit.

Përballë gazetarëve në një konferencë për shtyp, Basha është shprehur se përgjimet e publikuara nga prokuroria për grupet kriminale ditët e fundit tregojnë qartë sesi këto banda kanë komunikuar me pushtetarë të rëndësishëm të PS-së, me qëllim grabitjen e votave të shqiptarëve.

Basha ka theksuar se krimi elektoral i kryeministrit tashmë është faktuar dhe se prokuroria do duhej të niste prej kohësh hetimin ndaj zyrtarëve të përfshirë.

Lulzim Basha: Tashmë kanë dalë në dritë edhe provat zyrtare, të krimit të të gjitha krimeve: marrja e pushtetit nga Edi Rama në bashkëpunim me krimin.

Kriminelët janë bërë faktori kryesor elektoral në Shqipëri. Vota e njerëzve, vullneti i njerëzve nuk kanë asnjë rëndësi në zgjedhjen e qeverisë në Shqipëri.

Kriminelët e Fushë Krujës grabitën vota për Edi Ramë në zgjedhjet e 2017, nën drejtimin direkt të deputetit Rahman Rraja. Vetë djali i Rrajës u hetua për blerje votash dhe për kërcënim ndaj votuesve por hetimet ndaj tij u mbyllën.

Grupi Rraja ka qenë i vetmi shtab elektoral i PS-së në Krujë aq sa Rraja i vogël ndihet oponenti ynë zgjedhor dhe sfidon opozitën në zgjedhje, duke provuar hapur se konkuruesi ynë zgjedhor nuk janë socialistët por janë kriminelët e rekrutuar nga Edi Rama.

Përgjimet kane nxjerrë në dritë faktin se kriminelët e grupit të rrezikshëm Avdylaj kanë punuar për grabitjen e votave për llogari të PS, Vangjush Dakos dhe deputetëve të Edi ramës. Bashkë me Ramën, në pushtet erdhën edhe Avdylajt, ndaj ky grup kriminal u fuqizua në një grup të rrezikshëm ndërkombëtar të drogës.

Në përgjimet e Lezhës është e njejta gjë, Ndokat kanë qenë bandë elektorale e PS-së.

Në Kavajë del qartë se Elvis Roshi ka bërë të njejtën gjë, së bashku me Gent Dajën. Madje aty krimi dhe pushteti edhe formalisht u shkrinë në një në personin e Elvis Roshit.

Në Elbasan Qazim Sejdini ka bërë të njejtën gjë, trafikantët e drogës dhe pushteti i tij janë një,
Njësoj në Dibër, Prokuroria ka një dosje tjetër ku hetohet për vjedhjen e votave në Dibër ku është përfshirë Ulsi Manja, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri.

Sot mund të themi me siguri se krimi i ka siguruar Edi Ramës të paktën 10-15 deputetë përmes kërcënimit, grabitjes dhe blerjes së votës.