Basha: Psuedo-padia e Ramës për Haradinajn, perversitet i shëmtuar anti-kombëtar

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, reagoi pas lajmit se kryeministri shqiptar, Edi Rama ka ngritur padi ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Basha e quan këtë padi një perversitet të shëmtuar anti-kombëtar. Sipas Bashës, ky akt i ulët meriton refuzim dhe revoltë legjitime.

“Pseudo-padia e Edi Ramës ndaj kryeministrit te Kosovës është një perversitet i shëmtuar anti-kombëtar. Është turp i pakapërdishëm që Ramush Haradinaj, pas gjakut të tij dhe familjes së tij për çlirimin e Kosovës, pas betejave me akuzat e montuara të Beogradit, përballet edhe me pasojat e degjenerimit dhe vasalitetit të Edi Ramës. Ky akt i ulët që na turpëron të gjithëve meriton refuzimin dhe revoltën legjitime ndaj një kryeministri të dështuar fund e krye dhe ndaj falimentimit të tij politik dhe moral para Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar,” tha Basha.

Padia e Ramës ka shkaktuar mjaft zemërim në median sociale.