Basha: PD sot u pastrua nga hijet e së shkuarës dhe nisi një aleancë me qytetarët

Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Kryesisë, Lulzim Basha deklaroi se sot mbyllën kapitullin me të shkuarën.

Kryedemokrati shprehu mirënjohjen për 5004 delegatët që ishin sot të pranishëm në Kuvendin Kombëtar të PD.

“Dua ti falënderoj delegatët që sot me praninë e tyre, përkundër të gjithë presionit, erdhën u mblodhën, mbyllën një kapitull me të shkuarën dhe vendosëm të ecim përpara. E bëmë këtë sepse shqiptarët prisnin nga ne ndryshimin më 25 prill, mohuar nga masakra zgjedhore. Presin ndryshimin edhe sot nga ne. Kam marrë mesazhe, panë sesi demokratët zgjedhin interesin kombëtar. Zgjedhin të lënë pas hijet e së shkuarës.

Sot PD është pastruar nga hijet e së shkuarës. Jemi e para parti politike që jetësojmë aleancën me qytetarët për rikthimin e demokracisë. Për të kryesuar përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por për të mundësuar reformat e thella që do i japin fund armikut të mirëqënies që është korrupsioni. Ky është fokusi ynë. Ka qenë fokusi që nga betejat q kemi nisur me dekriminalizimin”, deklaroi Basha.

Mbrëmjen e sotme në selinë blu ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Përmes një konference për shtyp jashtë selisë së PD, Berisha njoftoi se rreth 44 mijë anëtarë kanë votuar pro shkarkimit të Lulzim Bashës.