Basha: PD nuk hyn në zgjedhje pa ikur Rama

Lulzim Basha deklaroi në mbrëmje se kusht që opozita të marrë pjese në zgjedhje është dënimi ë të gjithë atyre që kanë vjedhur votat.

“Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar nuk merr pjesë në asnjë proçes zgjedhjesh dhe në asnjë diskutim për zgjedhje, nuk merr pjesë në asnjë diskutim për zgjidhje politike apo për reforma apo për çfarëdo formule pa dalë para drejtësisë të gjithë ata që janë përfshirë në vjedhjet e zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin.
Fundi i pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin është kushti i panegociueshëm që ne t’u kthehemi proçeseve politike. Ne nuk bëjmë marrëveshje me Edi Ramën, në asnjë rrethanë dhe në asnjë kusht. Ne as nuk diskutojmë më me Edi Ramën në asnjë rrethanë”- tha Basha.

Për Bashën PD, nuk ka për tu futur në asnjë proçes pa u larguar Edi Rama si e vetmja mundësi për tu zgjidhur kriza, edhe pse presidenti Meta dekretoi nje date te re zgjedhjesh.

“Por 30 qershori është dhe do të jetë nul. Ai do t’i japë goditje të rëndë pushtetit të Edi Ramës dhe krimit. Ne do të bëjmë çdo gjë që mundemi që 30 qershori të hyjë në histori si dita fatale e pushtetit të Edi Ramës. Ju ftoj të gjithëve të jeni të matur dhe të kini besim tek kauza jonë, tek forca jonë. Juve dua t’ju them se me përpjekjet tona ne e kemi plagosur për vdekje regjimin e Edi Ramës. Shumë shpejt ky regjim do të mbarojë. Ne kemi tregaur kurajë dhe forcë së bashku. Ne kemi treguar se e duam lirinë dhe demokracinë. Këtë do të tregojmë edhe më 30 qershor”- tha Basha.