Basha në deklaratë: 85% e shqiptarëve refuzuan votimet moniste

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka dalë në një deklaratë për mediat, pas mbylljes së procesit të votimit për 61 bashkitë e vendit. Sipas Bashës, 85% e shqiptarëve refuzuan votimet moniste duke braktisur maskaradën e Edi Ramës.

“Shqiptarët braktisën në masë maskaradën e Edi Ramës. 85% e shqiptarëve refuzuan votimet moniste. Edi Ramën e braktisën edhe socialistët sepse votuan më pak se në 2017-ën. Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Europë, që nga koha e komunizmit. Organizata e Rilindjes sot kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë dhe çertifikonte vetë. Kjo është parodi tragjike e demokracisë, Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës”, u shpreh kreu i PD-së.

Basha akuzoi mazhorancën se ka manipuluar në mënyrë masive votimet, duke kërcënuar dhe duke blerë votat.

“Akoma më tragjik është fakti që edhe pse votimet ishin në çdo element të tyrin, njësoj sikur të ishin votime të brendshme të Partisë Socialiste, ato u karakterizuan nga manipulime masive, përfshi rezultate të paracaktuara, blerje votash, kërcënim për të marrë pjesë, përdorim të burimeve publike dhe administratës shtetërore, votime të shumëfishta nga i njëjti person, mbushje kutish dhe shkelje të tjera të rënda”, u shpreh ai.