Kreu i Partisë zyrtare Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar nga kryetari i Komitetit për Punët e Jashtme në Parlamentin e Francës, Jean-Louis Bourlanges, që vendi i tij të mbështesë kandidaturën e Kosovës për në Këshillin e Evropës.
Në qendër të bisedës mes Bashës dhe Bourlanges ishte situata e sigurisë dhe kërcënimet me të cilat po përballet Evropa, ndërsa lufta e agresionit rus në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë. Basha dha mesazhin e qartë në takim, që Franca të mbështesë Kosovën në KiE.
Përmes një publikimi në median sociale Facebook, Basha parashtron se situata në Ukrainë dhe hapat e ndërmarrë në Europë dhe SHBA në lidhje me mbajtjen përgjegjëse të Rusisë edhe për krimet dhe dëmet e shkaktuara ishin në qendër të takimit.
“E njoha Kryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme të parlamentit francez me rezolutën për rindërtimin e Ukrainës, ku parashikohet që Federata Ruse ka detyrimin për të kompensuar Ukrainën, qytetarët, sipërmarrjet dhe qeverinë e saj, për dëmet e shkaktuara nga aktet e saj të paligjshme”, shpjegoi ai. “Në funksion të këtij qëllimi është edhe konfiskimi i aseteve të ngrira të Federatës Ruse dhe vendosja e tyre në mbështetje të Ukrainës”.
Sipas Bashës, përtej ndihmës për Ukrainën ky hap përbën edhe një mesazh të qartë ndaj agresorëve dhe atyre që përpiqen të përfitojnë prej agresionit.
“Të tilla janë përpjekjet për destabilizim në rajon, ku synimet e Moskës më mbështetjen e aleatëve të saj në Serbi janë zhytja e Ballkanit Perëndimor në kaos dhe minimi i arkitekturës së sigurisë së krahut juglindor të NATO-s duke provokuar një front të ri në zemrën e Aleancës”, vijon më tej.
Teksa, në mbyllje të publikimit, e qartëson se ditën e nesërme (27 mars) do të zhvillohet seanca e posaçme e Komitetit Politik për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku Basha ka kërkuar mbështetjen e Francës, duke nënvizuar se Kosova anëtare e Këshillit të Evropës është një garanci më shumë për ata që pretendojnë mbrojtjen e të drejtave të pakicave atje.
VIDEO BONUS:







