“Bash në ditë të grave”: Reshitaj vazhdon sulmet ndaj Konjufcës për “mëditjen”, falënderon Kurtin për një dhuratë

Deputetja Albena Reshitaj ka provuar që t’i kundërpërgjigjet kryekuvendarit Glauk Konjufca pasi ky i fundit e qortoi publikisht gjatë ditës së djeshme.

Reshitaj e akuzoi Konjufcën se ishte treguar selektiv në fillim të fjalës së tij.

“Emri im u lakua nga një deklaratë aspak e hijshme nga ana e kryesuesit të Kuvendit. Z. Konjufca tha që kam qëndruar vetëm disa sekonda në Kuvend. Por, të tjerë deputetë nga opozita nuk i përmendi ani pse qëndruan sa unë…”

Ajo më pas në mbrojtjen që i bëri vetes përmendi se dje kishte qenë 8 marsi, dita ndërkombëtare e grave.

“Dhe pikërisht në ditën më të veçantë, të grave. Z. Konjufca, unë jam deputete në mandatin e dytë. Unë vendosi se si qëndroj e sa qëndroj në seancë…” – vazhdoi ajo.

Sipas Reshitajt, kishte edhe një anomali të madhe pasi po lidhej prania në seancë dhe mëditja.

“Për mendimin tim ka një anomali këtu… Prezenca e deputetit duhet të dokumentohet. Nuk duhet të ketë një lidhje të tillë me mëditjet… Unë nuk vij në Kuvend as për mëditje, as për rrogë. Nuk ke të drejtë të më ofendosh.” – argumentoi deputetja e AAK-s.

Në fund, ajo falënderoi kryeministrin Kurtin për një dhuratë që kishte marrë prej tij.

Konjufca e pati vetëm një përgjigje:

“Znj. Reshitaj e dini mirë se unë rrallë bëj qortime publike të deputetëve. Por, unë ato i bëj kur ia teprojnë siç bëtë ju dje”.