Bardhi: Kemi treguar se kemi kualitet

Njëri prej futbollistëve shqiptarë te Maqedonia e Veriut, Enis Bardhi, thotë se përfaqësuesja ka dëshmuar në Euro 2020 se ka kualitet.

Maqedonia V. i humbi tri ndeshje në grup dhe nuk ishte afër kalimit të fazës grupore.

“Ne do ta kujtojmë këtë paraqitje në Evropian për pjesën tjetër të jetës. Do të jetë shkollë dhe përvojë që do të na jap forcë për sfidat e ardhshme dhe që të kualifikohemi sërish në ngjarje të mëdha. Kështu do të dëshmojmë se Maqedonia ka kualitet. Ndeshja me Holandën ishte emocionale për shkak të Goran Pandevit. Të gjithë e dimë se sa ka dhënë ai për këtë ekip nacional. Ai është lojtari më i madh në histori të Maqedonisë. Duhet të kemi forcë të vazhdojmë në gjurmët e tij. Një shembull për të gjithë ne. I dëshiroj atij dhe gjithë familjes Pandev fat dhe shëndet”, ka thënë Bardhi.

Ai ka besim në gjeneratën aktuale të Maqedonisë V.

“Kjo gjeneratë kishte sukses me U21 dhe tani me ekipin A. Kemi pasur tri apo katër javë të vështira. Duhet të pushojmë pak. Duam të luajmë në ngjarje të mëdha sërish. Maqedonia po e ndryshon mentalitetin. Të gjithë e dinë tashmë dhe ne duhet ta përsëritim këtë sukses”, ka theksuar Bardhi.