Barcelona nuk ka hequr dorë nga ideja për të afruar Willian nga Chelsea në merkaton e verës, pasi ka dështuar ta bëjë në merkaton e janarit, ku ofruan shkëmbim kokë më kokë me Malcom.

Asokohe vlera e brazilianit llogaritej në 50 milionë euro, mirëpo kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2020 dhe klubi katalanas është i sigurt që mund ta afrojë për 35 milionë euro 30-vjeçarin, duke qenë se Chelsea është nën presion të skadimit të kontratës së tij.

“The Sun” në Angli bën me dije se Barcelona do të paraqesë këtë ofertë për të përfituar nga situata e Willian dhe ta marrë atë me një çmim më të lirë sesa u tentua në janarin e shkuar.

Këtë sezon sulmuesi ka qenë titullar rregullisht nën drejtimin e Sarrit, ku ka shënuar 8 gola. Mirëpo eksperienca e tij prej 6 vitesh në Londër duket se do jetë drejt fundit, pasi nuk ka arritur të firmosë kontratë të re me “Blutë e Londrës”.

Kujtojmë që Willian u ble nga Anzhi Makhachkala për rreth 38 milionë euro në vitin 2013.