Derbi lokal

Barcelona me artin e Messit fiton bindshëm derbin katalonas

Me dy golat e tij magjike nga goditja e lirë, Lionel Messi e ka frymëzuar Barcelonën drejt triumfit të madh në derbin katalonas ndaj Espanyolit në La Liga, të shtunën në “RCDE Stadium”.

Gjashtë ditë pasi mësoi se u vlerësuar vetëm si lojtari i pestë më i mirë në botë në garë për Topin e Artë, të cilin e fitoi Luka Modric i Real Madridit dhe Kroacisë, Lionel Messi u duk sikur mori motivim shtesë duke shkëlqyer me dy gola dhe një asist në fitoren e Barçës 4-0 ndaj Espanyolit në La Liga.

Superylli argjentinas i dha epërsinë mysafirëve me një gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë, pas 17 minutave lojë.

Messi u përkujdes që Ousmane Dembele ta dyfishojë epërsinë për Barçën, duke asistuar për francezin, i cili shënoi në minutën e 26-të.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, Luis Suarez realizoi një gol të pamundur, nga një pozitë tejet e vështirë.

Përveç me gola, Barcelona e dominoi skuadrën vendase edhe me raste, duke pasur pesë goditje në kornizën e portës, krahasuar me një të Espanyolit.

Barça po ashtu e pati topin në posedim 63% të kohës, krahasuar me 37% të vendasve.

Njëzet e pesë minuta para fundit, gjeniu i vogël e realizoi golin e dytë personal dhe të dytin nga gjuajtja e lirë, duke e çuar në 4-0 epërsinë e kampionit spanjoll.

Messi e mbylli takimin me dy gola dhe një asist, që i ndihmojnë atij të kalojë i pari në listën e golashënuesve në La Liga me 11 gola, aq sa ka edhe Stuani i Gironës.

Ndërkohë, për Barcelonën kjo ishte fitorja e dytë më radhë në ligë, që i ndihmon asaj t’i grumbullojë 31 pikë dhe ta përforcojë pozitën e parë në tabelë, me tri pikë më shumë se përcjellësit e parë Sevilla dhe Atletico Madridi.

Espanyoli, në anën tjetër, mbetet e nënta me 21 pikë.