Kampionia në fuqi e Spanjës, Barcelona, e ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me SC Bragan për transferimin e 20-vjeçarit portugez Francisco Trincao, i cili njihet si “Cristiano Ronaldo i ri”.

Marrëveshja për transferimin e Francisco Trincaos është arritur për 31 milionë euro dhe futbollisti do t’i bashkohet klubit katalonas në fund të këtij sezoni, gjatë verës.

? Francisco Trincão
Agreement with @SCBragaOficial for Trincão transfer; he'll join FC Barcelona on 1 July 2020.

— FC Barcelona (@FCBarcelona) January 31, 2020

Sulmuesi është krahasuar me bashkëkombësin portugez Cristiano Ronaldo nga disa tifozë dhe gazetarë. Barcelona e kishte të drejtën për të qenë opsioni i parë për ta blerë Trincaon dhe tani e ka shfrytëzuar këtë të drejtë.

Ai do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare, që do ta mbajë atë në Camp Nou deri në vitin 2025. Klubi i ka vendosur atij klauzolë për shkëputjen e kontratës në vlerë prej 500 milionë eurosh.

Barcelona kishte qenë e përfolur për transferimin e sulmuesit portugez gjatë këtij afati kalimtar të janarit, pasi që Luis Suarez e pësoi një lëndim të rëndë, që e mban atë jashtë fushës së blertë për katër muaj.

Klubi katalonas thuhej se është interesuar edhe për disa sulmues të tjerë – si Willian, Rodrigo dhe Richarlison – por tani raportohet se asnjë lojtar tjetër nuk do të arrijë në Barcelonë gjatë këtij afati kalimtar, që mbyllet sot në mesnatë.