Baraliu ‘thumbon’ Kurtin e Osmanin: Prandaj brengosem për vizitat falas te Sellma, shtëpinë 400m për 250 euro në muaj e fustanin me dredhëza

Fustani i vajzës së kryeministri Albin Kurti, mbrëmë në Festivalin e Filmit në Kanë, ka ngjallur reagime të shumta në rrjet. Vëmendje mori çmimi i fustanit që sipas raportimeve kushton 490 dollarë, por kreatorja kosovare deklaroi se fustanin ia kishte dhuruar vajzës së Kurtit. E për këtë pjesë ka reaguar edhe analisti Bleron Baraliu, teksa shprehet i brengosur me rrjedhen e gjërave.

Këtu përmend edhe grimin falas që grimerja Sellma deklaronte se ia kishte bërë presidentes Vjosa Osmani, shtëpinë e Kurtit dhe “fustanin me dredhëza”. Duke shtuar se protestat duhet inkurajuar e jo shtypur.

“Prandaj, të dashur, unë brengosem për vizitat falas te Sellma, shtëpinë 400m për 250 euro në muaj, fustanin me dredhëza të ‘huazuar’, dhe vinjetat 5 euro. Prandaj duhet inkurajuar, e jo shtypur protestat e të tjerëve!”, shkruan Baraliu ndër të tjera.

Në fillim të reagimit të tij përmend një histori se si një nënë e kishte arsyetuar djalin e saj i cili bënte vazhdimisht “zullum”. E pas kësaj, ai thotë se korrupsioni ç’rrënjoset vetëm me zero tolerancë.

Reagimi i tij i plotë:

… dikur djali 5 vjeç kishte vjedhur dy vezë. “Hajt se ska gajle” – kishte konstatuar nëna e tij ledhatuese.  Më vonë djali kishte grabitur hamshorin e fqiut: “Hajt se s’â gja ni kali” – ishte arësyetuar e ëma!  Në fund, i biri, para ekzekutimit me vdekje sepse s’kishte lënë cak pa abuzuar e ‘zullum’ pa bërë, dëshirën e fundit zgjodhi t’a shihte nënën. Sapo fitoi nga rasti i këputi gjuhën: “kjo gjuhë më ka mësuar të gënjejë e mashtrojë”, deklaroi para se t’i dhuronte qafën litarit 😥.

Prandaj, të dashur, unë brengosem për vizitat falas te Sellma, shtëpinë 400m për 250 euro në muaj, fustanin me dredhëza të ‘huazuar’, dhe vinjetat 5 euro. Prandaj duhet inkurajuar, e jo shtypur protestat e të tjerëve!

Kurrizi që thehet njëherë do lakojë njëqind herë – kështu më kanë mësuar prindërit e mi, edhe kur mi patën djegur vithet djaloshare me hithëra e duartë me thupra të mprehta sepse kisha vjedhur një grusht rrushi nga vreshtat e dërzhavës të kultivuara në tokat tona të zaptuara nga regjimi okupues.

Korrupcioni çrrënjoset vetëm me zero tolerancë. Dhuna mënjanohet vetëm me 100% dashuri dhe kujdes për mendimin ndryshe. Shpresat shumëzohen me reflektim, vetë kritikë, dhe konsistencë në vepra – jo me arrogancë e injorim të së kundërtës.

Në një vend i tëri sa një lagje e Nju Jorkut vazhdon të bëhet nami në i madh se i Parisit e Berlinit. Ky nuk është atdheu i ëndërrave dhe sakrificës. Dikush duhet t’i kthejë këta njerëz në rrugën e kombit. Ky tren duhet ndaluar diku, sepse ura është e rrënuar qysh moti.