Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është deklaruar rreth masave preventive që do të merren për kryeqytetin që nga nesër, vend ky që do të izolohet nga data 12 prill.
Përmes një video mesazhi, Ahmeti ka treguar se një ndër masat të cilat merren që sot është se personat që janë banorë të Prishtinës dhe gjenden jashtë qytetit, kanë kohë që deri nesër në orën 17:00 të rikthehen, e në po të njëjtën orë ndalohet edhe dalja e atyre të cilët anë në Prishtinë dhe janë banorë të vendeve tjera.
“Të gjithë ata banorë që janë të prishtinës por që sonte janë jashtë prishtinës, nesër deri në orën 17:00 do të mund të hynë në Prishtinë, dhe të gjithë ata që janë banorë të vendeve të tjera dhe janë brenda Prishtinës, mund të largohen po në këtë orë nga Prishtina”, ka thënë Ahmeti.
Një gjë të tillë e kanë thënë edhe nga Ministria e Shëndetësisë, përmes një postimi në Facebook.
“Të nderuar qytetarë, siç jeni njoftuar, sonte është vendosur karantinimi i Prishtinës.
Të gjithë banorët të cilët ndodhen jashtë Komunës së Prishtinës, kanë mundësinë të kthehen më së largu nesër (12 prill), deri në ora 17.00”, thuhet në njoftimin e MSH’së.
Nga ana tjetër, Ahmeti tutje bëri të ditur se 20 rastet që dolën pozitive vetëm sot në Prishtinë, janë familjarë të cilët kanë vizituar një të shtrirë që ka qenë me sëmundje kronike dhe ka rezultuar pozitiv me Covid-19, duke shtuar se nesër do të testohen edhe 40 persona të tjerë, kontakte të të infektuarve të sotëm.
“E kemi pas një rast të shtrirë që ka qenë me sëmundje kronike, familjarët kanë shku me vizitu dhe pasi i është bërë testi, ka dal pozitiv. Atëherë i kemi testu familjarët dhe prej 25, prej tyre 20 kanë dale pozitiv. Nesër do t’i testojmë edhe 40 persona të cilët kanë pasur kontakt me këta persona që sot dolën pozitiv me Covid-19”, ka thënë tutje Ahmeti.






