Dhjetëra banorë të fshatit Poqestë të Pejës, kanë protestuar sot kundër dislokimit të një materie që ata e quajnë të rrezikshme.

Kjo materie, është vendosur në një fabrikë të fshatit Gorazhdec, pronë e kompanisë Shala Swiss Oil, shkruan Ballkani.info.

Naim Bytyqi, në emër të protestuesve ka kërkuar që sa më parë të largohet kjo materie që sipas tij e rrezikon jetën e banorëve përreth.

Ai ka thënë se banorët do ta boshatisin fshatin nëse kjo materie nuk largohet.

Në vendin e ngjarjes kanë dalur edhe forcat policore, por të cilat nuk kanë ndërhyrë.

Në anën tjetër, banorët po ashtu kanë paralajmëruar edhe masa të tjera radikale nëse kjo materie nuk largohet nga aty.

Materia besohet që është larguar nga ish-kombinati i lëkurë-këpucëve në Pejë, ku ruhej nga forcat e KFOR-it.

Ky kombinat është privatizuar pikërisht nga kompania Shala Swiss Oil. /Ballkani.info