Fashti Bubq i Fushë Krujës është dëmtuar mjaft rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Tërmeti i 26 nëntorit që ka goditur Shqipërinë, ka ka shkatërruar mbi 230 shtëpi në fshatin Bubq të Fushë Krujës.

Arben Rrushi, banor i Bubqit, ka treguar për lajmi.net, se fatmirësisht në fshatin e tij nuk ka viktima, por që shumë persona nuk kanë as çadra.

“Kështu që shyqyr Zotit s’kemi pasur viktima, kjo është për t’u falënderuar edhe njerëzit ngushëllohen me viktimat ku kanë ndodhur me banorët ku kanë pasur viktima dhe shyqyr Zotit më mirë. Por gjithsesi, pasuria të dhemb shpirti dhe njerëzit e vuajnë këtë. Njerëzit kërkojnë një çadër, nuk kërkojnë shumë ndihma, por të paktën minimalisht një çadër ta kenë aty afër shtëpisë për të ruajtur materialet që kanë në shtëpi, e kanë si traditë këtë pjesë dhe e kanë si të vështirë për t’u shkëputur për t’u larguar nga banesat e tjera”, ka treguar Rrushi.

Tërmeti lë pas gjendje të vështirë në Bubq, banorët kanë nevojë për çadra – kritikojnë pushtetin për neglizhencë

Ai është shprehur mjaft i mllefosur me pushtetin, pasi që siç tregoi Rrushi për lajmi.net, nuk u kanë dalë në ndihmë.

Rrushi thotë se ndihmat më së shumti kanë ardhur nga njerëzit e vullnetit të mirë, përfshirë këtu edhe siç tha ai “vëllezërit nga Kosova”.

“Ndihmat kanë ardhur vetëm nga njerëzit që e kanë shprehur dëshirën, biznesmen nga jashtë shtetit, miqtë tanë nga Kosova, vëllezërit tanë nga Kosova që janë gjithë qysh ditën e parë dhe këtu dua të gjej rastin edhe t’i falënderoj, por kjo është edhe, ndoshta edhe nuk është e nevojshme nga ana ime sepse e kemi parë edhe në medie se çfarë kanë bërë vëllezërit tanë nga Kosova. Kjo është për t’u falënderuar dhe mirënjohje. Zoti ua shpërbleftë ishalla vetëm me të mira”, u shpreh Rrushi për lajmi.net.

Theksojmë se tërmeti i 26 nëntorit ka lënë të vdekur 52 persona, rreth 700 të lënduar dhe qindra familje kanë mbetur pa kulm mbi kokë.