Bandat britanike fusin drogë dhe telefona në burgje përmes minjve të ngordhur

Autoritetet e burgjeve në Britani të Madhe kanë njoftuar se banda të ndryshme kriminale po i përdorin minjtë e ngordhur për të kontrabanduar drogë dhe telefona celularë nëpër burgje.

Punëtorët e burgut në Dorset i kanë gjetur tre minj, të cilët kanë qenë të qepur në bark. Nga hetimet e mëvonshme u zbulua se në barkun e këtyre kafshëve janë vendosur telefona celularë, mbushës të telefonave, kartela “SIM” dhe drogë.

Këto kafshë u gjetën brenda perimetrit të rrethojës së burgut. Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se kafshët e ngordhura, të mbushura me gjëra të ndaluara në burg, janë hedhur matanë rrethojës nga kriminelët, të cilët i kanë thirrur të burgosurit për t’i marrë ato.

Në të kaluarën, në burgjet britanike janë shënuar raste kur kriminelët janë munduar të fusin gjëra të ndaluara përmes pëllumbave dhe topave të tenisit.

Ministri i burgjeve, Rory Stewart, tha: “Ky zbulim tregon se sa larg mund të shkojnë kriminelët për të futur drogë në burgje dhe dëshmon rëndësinë e nevojës për forcim të sigurisë. Droga dhe telefonat celularë në burgje i vënë në rrezik të burgosurit, punëtorët e burgjeve dhe tërë popullin”.

Në Angli dhe Uells janë shënuar 13 mijë e 119 të gjetjes së drogës në burgje vetëm gjatë vitit 2018. Kjo shifër është 23 për qind më e lartë se numri i rasteve të vitit 2017. Edhe numri i telefonave të gjetur në burgje nga viti 2017 në vitin 2018 është rritur për 15 për qind, shkruan “The Guardian”