Sulmuesi italian

Balotelli i konsideron jo falenderues tifozët e Milanit

Gjasat e një rikthimi të Mario Balotellit te Milani janë venitur edhe më shumë pasi që sulmuesi italian i ka akuzuar tifozët e “Rosonerëve” me mungesë respekti.

Balotelli është në sezonin e tij të tretë te Nice në Ligue 1, derisa nuk ka shënuar asnjë gol këtë sezon me fanellën e klubit francez.

Së fundmi ka pasur spekulime se 28 vjeçari mund të rikthehet në “San Siro”, ku kaluar dy sezone e gjysmë në dy periudha të ndryshme.

Këto speklime janë pritur me përbuzje nga disa tifozë të Milanit që e kanë ngjallur reagimin e sulmuesit problematik.

“Është mirë të shohësh kaq shumë tifozë të Milanit që nuk e duan rikthimin tim. Është në rregull, një ditë kanë nevojë për ty dhe një ditë jo. Është e rëndësishme të mos kesh pengje. Nuk kam planifikuar ndonjë transferim ende. E publikova këtë reagim për të treguar sesi nuk ka falenderim dhe respekt nga njerëz që do t’i dua përgjithmonë”, tha Balotelli përmes një postimi në Instagram.

Balotelli ka realizuar 33 gola në 77 paraqitje me Milanin gjatë sezoneve 2012-2014 dhe 2015-2016.