Ballkani ka marrë lidershipin e Superligës pas fitoren 2:0 ndaj Llapit në Suharekë, duke i thelluar krizën skuadrës podujevase në këtë fillim kampionat.

Ndeshja, e cila nga fillimi ishte e tensionuar për shkak të deklaratave të trajnerit Tahir Batatina për tifozët suharekas, u zhbllokua në minutën e 13-të përmes Ermal Krasniqit.

Në vijim, vëmendje më shumë ishte në tribuna se në fushë. Fillimisht, “Xhebrailat” u desh të largohen nga stadiumi për shkak të ofendimeve ndaj Batatinës. Më pas, pjesa e dytë filloi me vonesë, pasi Policia kërkoi zbrazjen e stadiumit pasi ishin shkelur rregullat anti-COVID të Qeverisë.

Në pjesën e dytë, skuadra e Bekim Isufit u fokusua në defanziv duke mos lejuar Llapin të shënonte. Llapi luajti me një lojtar më pak nga minuta e 72-të kur Arbnor Ramadani u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Rezultati u vulos sërish nga një gol i Krasniqit në minutat e fundit.

Pas pesë xhirove të para, Ballkani ka vendin e parë me 11 pikë, kurse Llapi renditet i nënti me dy sosh.