Ballkani ia beson Bekim Isufit postin e trajnerit

Ballkani është bërë me trajner të ri.

Klubi therandas ia ka besuar Bekim Isufit postin e trajnerit.

“Portokallinjtë” e zyrtarizuan trajnerin gjilanas përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Ata besojnë se me Isufin do të jenë të suksesshëm në sezonin e ardhshëm.

Pas largimit të Ismet Munishit, ekipin e kishte marrë në dorë trajneri Bledi Shkëmbi.

Ndërsa, në xhirot e fundit, ekipin therandas e kishte udhëhequr përkohësisht Ardian Basha.

Ballkani përfundoi në pozitën e tretë në Superligën e futbollit me ç’rast mbeti pa u kualifikuar në garat evropiane.

Ky ishte tentimi i dytë i ekipit nga Suhareka për ta fituar titullin dhe për të dalë në Evropë, por nuk ia doli.

Sezonin e ardhshëm Ballkani synon të jetë protagonist në futbollin kosovar dhe më në fund të stoliset me titull dhe ta shijojë aromën e garave evropiane. /Gazeta Express/