“Ballkani i Hapur”, Rama i përgjigjet qeverisë së Kosovës: Boll me termin nuk na ftuat, hajdeni

Pas nënshkrimit të marrëveshjes tripalëshe mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, liderët e këtyre vendeve kanë mbajtur një konferencë të përbashkët.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij ka theksuar se shpirti i kësaj nisme është për një ekonomi të përbashkët për lëvizje të lirë të qytetarëve në këto tre vende, lehtësimin e barrierave tregtare dhe ndihmën e dhënë në rast vështirësish

Ai nënvizoi se do të ishte në të mira të tre vendeve, që të bëhen bashkë në rast vështirësish dhe katastrofash natyrore.

Ndërkohë Rama u është përgjigjur edhe vendeve që nuk kanë pranuar të jenë pjesë e nismës duke theksuar se të gjithë e kanë mundësinë por nuk do të lusin askënd.

“Boll me këtë na ftuan nuk na ftuan. Ishin në Tiranë. Ishin të qartë disa duan disa jo. Autostradat hekurudhat, lëvizja e lirë, mbase nuk janë e njëjta gjë me demokracinë por liri pa këto është e vështirë ta kesh dhe ta kesh të pa kërcënuar. Politika më e mirë është bashkëpunimi.” tha Rama.

Kujtojmë se me anë të një reagimi të fundit, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë në Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që u zhvillua në Maqedoninë e Veriut, që deri tani njihej si “mini-Shengeni” Ballkanik. Qeveria e Kosovës thotë se iniciativa e “mini-Shengenit” është nismë pa vizion për rajonin.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.