Ballkani fiton ndaj Feronikelit dhe i afrohet Dritës

Trepça ’89 ka bërë edhe një hap prapa në luftën për mbijetesë në Superligën e Kosovës në futboll.

Pas barazimit me Vushtrrinë javën e kaluar në Mitrovicë, Trepça ’89 të hënën pësoi humbje në udhëtim nga Dukagjini. Ndeshja e luajtur në Klinë, në kuadër të xhiros së 30-të të Superligës, përfundoi me rezultatin 3:2 për Dukagjinin, ekip që tashmë konsiderohet pjesë e Ligës së Parë.

Arbër Shala (11′), Milot Abdyli (45’+3 autogol) dhe Abu Kamara (72′) realizuan për vendasit derisa golat për mysafirët i shënuan Muharrem Jashari (1′) e Milot Abdyli (12′).

Pavarësisht fitores, Dukagjini mbetet në pozitën e fundit në tabelë me 13 pikë derisa Trepça ’89 është e nënta me 35 pikë të mbledhura. Kjo pozitë në fund dërgon në kategorinë e dytë.

Ballkani është ngritur në pozitën e dytë në tabelë pas fitores 1:0 në udhëtim ndaj Feronikelit. Fitorja e rëndësishme është arritur falë golit të Blend Baftiut (32′). Me këtë triumf Ballkani arrin në kuotën e 62 pikëve, tri më pak se Drita që është lidere.

Skuadrës së Llapit i ka mjaftuar goli i Kastriot Selmanit (58′) për ta mposhtur Flamurtarin (1:0). Ndërkohë, me rezultatin identik, Vushtrria ka triumfuar ndaj Ferizajt. Golin e vetëm në këtë takim e realizoi Drilon Fazliu (22′).