Ballkani

Ballkani e mbylli fazën e parë të ndeshjeve si lider, por Grupi H është shumë i veçantë me statistika

Kampioni i Kosovës, Ballkani ka marrë fitoren e parë në grupet e garave evropiane, duke triumfuar me rezultat 4-3 në udhëtim te Sivasspori.

Mbrëmja e enjte ishte krejtësisht e veçantë për futbollin shqiptar, e në veçanti atë të Kosovës dhe qytetin e Suharekës.

Ballkani tregoi se nuk është inferior ndaj asnjë skuadre duke luajtur si i barabartë dhe duke triumfuar në fund në udhëtim ndaj fituesit të Kupës së Turqisë.

Djelmoshat e Ilir Dajës fituan me rezultat 4-3, ndërsa ishin të papërmbajtshëm në pjesën e parë duke shkuar në pushim me epërsi 2-1, ndërsa në fillim të dytës dërguan epërsinë në 3-1.

Golat në këtë fitore për ekipin tonë u shënuan nga Armend Thaqi (20’), Arbër Potoku (31’), Meriton Korenica (66’) dhe Ermal Kraniqi (90+4).

Kjo fitore përveçse e madhe ishte edhe historike për Ballkanin dhe futbollin e Kosovës, pasi ishte e para në grupet e një gara evropiane, shkruan Telegrafi.

Megjithatë, kjo nuk ishte interesantja e vetme e mbrëmjes së enjte, pasi kampioni i Superligës së Kosovës me këtë fitore mbyll fazën e parë të ndeshjeve si lider i Grupit.

Por, Grupi H, aty ku luan Ballkani është shumë i veçantë dhe i barabartë, pasi të gjitha skuadrat kanë nga 1 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, kanë nga 4 pikë dhe goldallim të barabartë (0).

Ballkani ka shënuar 7 gola dhe ka pranuar 7, Sivasspor i dyti me goldallim 5-5, Slavia Praga (4-4) dhe CFR Cluj (2-2).

Statistikat e Grupit H

Deri në fund, ky grup pritet të jetë i zjarrtë për dy vendet e para që dërgojnë tutje, por ne shpresojmë që Ballkani ta ruajë formën e mirë dhe të marrë rezultate pozitive, të cilat do ta dërgonin në fazën tjetër. /Telegrafi/