Balla: Zgjedhjet e 2019 në fund të qershorit, Rama: Shqetësimi mbetet tek vjedhja jo tek data

Zgjedhjet e ardhshme vendore kanë çuar krerët e grupeve parlamentare të partive kryesore në vend në zyrën e Presidentit Ilir Meta.

Në dalje të takimit me Kreun e Shtetit, deputeti i PS-së Taulant Balla u shpreh se dy janë datat më të mundshme të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, dy të dielat e fundit të muajit qershor.

“Duke falënderuar Presidentin e Republikë për vijimësinë e një tradite shumëvjeçarë për konsultimin me partitë kryesore politikë lidhur me dekretimin e datës se zgjedhjeve vendore të qershorit të 2019, zhvilluam një bisede me të. Kodi zgjedhor është i qartë, qoftë në mandatin e përfundimit të të zgjedhurve vendorë, qoftë edhe për përcaktimin e sezonit zgjedhor prill-maj qershor, që është zhvilluar dy të dielat e fundit të qershorit. Këto janë dy datat e mundshme të zhvillimit të zgjedhjeve vendore”, tha Balla.

Disa minuta më vonë në Presidencë ka shkuar kreu i grupit parlamentar të LSI-së Luan Rama, i cili në dalje të takimit me Metën është shprehur se për forcën që ai përfaqëson nuk ka shumë rëndësi data, por cilësia e zgjedhjeve.

Unë ndava me të shqetësimin e LSI se problemi i zgjedhjeve në Shqipëri nuk është data, por pastrimi i zgjedhjeve nga interferenca dhe lobimi nga grupet kriminale. Problem ka qenë dhe blerja e zgjedhjeve dhe ka qenë në kolaps. Një pushtet që buron nga veprimtaria kriminale, do i kthejë reston grupeve kriminale. Për sa kohë nuk ka vëmendje, vlerësim dhe angazhim të qeverisë për të pastruar ajo e para veten dhe zgjedhjet nga krimi, gjithçka është formale. Jam këtu për qëndrimin e LSI dhe atë çfarë unë i kam thënë Metës, dhe s’mund të behëm zëdhënës i presidentit. Ky vend i mbytur nga informalitet nuk ka nevojë për zgjedhje formale, por për zgjedhje reale që të shprehen vullnetin qytetar dhe jo kriminal.

Publiku po e sheh vet se çfarë ndodh me qeverisjen dhe çfarë ndodh kur qeveria duhet t’i kthejë reston krimit”, tha Luan Rama.