INTERPOL

Balla: Shqipëria, vend organizator i Konferencës Rajonale Evropiane të INTERPOL

Ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Taulant Balla, ka theksuar se Shqipëria po thellon çdo ditë e më shumë bashkëpunimin me INTERPOL në luftën kundër krimit të organizuar.

Balla thotë se në vlerësim të rezultateve të arritura nga Policia e Shtetit Shqipëria është përzgjedhur këtë vit si vendi organizator i Konferencës Rajonale Evropiane të INTERPOL, organizatës më të madhe policore me 196 anëtarë në mbarë botën.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të mirëpresin më 11-13 Qershor 2024 drejtuesit më të lartë të policisë nga e gjithë Evropa dhe vende të tjera për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit.

Sipas tij do të thellohet bashkëpunimi për luftën ndaj trafikut të lëndëve narkotike dhe armëve, në gjetjen e personave në kërkim nga drejtësia shqiptare si dhe në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit në përballjen me krimet kibernetike.

Ministri ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit, falë këtij bashkëpunimi, kanë vijuar ekstradimet nga Spanja, Gjermania dhe Britania e Madhe, të personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare.

VIDEO BONUS: Rafuna: Tensionet në veri po i largojnë investitorët – Dëmet nga sanksionet e BE-së mbi 300 milionë