Gareth Bale e dëshiron qëndrimin te Real Madridi.
Uellsiani i cili kohët e fundit nuk po përjeton ditët e tij më të mira me fanellën “Los Blancos”, duket se dëshiron të vazhdojë aventurën e tij me mbretërit. Bale ka një kontratë me madrilenët deri në vitin 2022, ka refuzuar disa oferta që kanë ardhur nga klube angleze.
Sipas asaj që raporton gazeta spanjolle AS, nga burime pranë Bale bëjnë të ditur se vetë futbollisti nuk dëshiron të braktisë Realin pavarësisht se kohët e fundit kanë qarkulluar shumë zëra për një largim të mundshëm. Uellsiani ndihet i lumtur në radhët e “Los Blancos”, ndërkohë që interesi i Manchester United dhe Chelseat nuk ka kaluar në faza konkrete në paraqitjen e një oferte.
Ndërkohë përsa i përket qëndrimit të drejtuesve madrilen nëse u paraqitet një ofertë financiare e kënaqshme, atëherë ata do të ishin të gatshëm ta pranonin atë edhe pse dëshira e lojtarit është të vazhdojë aventurën e tij te “Los Blancos”.
Problemet fizika, por edhe loja e dobët nga ana e Bale kanë bërë që drejtuesit e skuadrës ta shohin me pikëpyetje qëndrimin e tij te Reali, kështu që nisur nga kjo në verë ndoshta bashkëpunimi mes palëve mund të ndërpritet.







