Sulmuesi legjendar i Real Madrdit, Pedrag Mijatovic, e ka shprehur frustrimin e tij me lëndimet e Gareth Bale, ndërsa malazezi nuk e konsideron yllin uellsian një lojtar te i cili mund të mbështetet klubi madrilien.
Sipas Mijatovicit, Balet i mungojnë kualitetet e të qenurit lider, tashmë që Cristiano Ronaldo është larguar nga “Santiago Bernabeu”.
Gareth Bale u detyrua të largohej nga fusha edhe në takimin e mbrëmshëm kundër Villarrealit, kur “Los Blancos” ishin në avantazh 1-2, rezultat të cilin nuk arritën ta mbrojnë deri në fund.
Ky ishte zëvendësimi i 11-të i Bale këtë sezon në La Liga, dhe i 15-ti në të gjitha kompeticionet, zhvillim ky që e nënvizon problemin e vazhdueshëm me lëndimet të ish lojtarit të Tottenhamit.
Mijatovic, që ka fituar 4 trofe me fanellën e Real Madridit gjatë viteve 1996-1999, e ka vënë në dyshim aftësinë e Bale për të përmbushur hapësirën e lënë nga Ronaldo.
“Situata e Bale është një turp. E pëlqej atë por nuk është as afër të qenurit lider i Real Madridit, pas largimit të Ronaldos. Lëndimi i vetvetes kaq shpesh është shqetësues”, theksoi Mijatovic.
Ish sulmuesi malazez kritikoi edhe zgjedhjet e trajnerit Solari, teksa zëvendësimet e Kroosit dhe Modricit i cilësoi si të gabuara.







