“Balanco fjalët”, “Jo faleminderit”, “Ftesë për Radojqiqin”: Shpërthim i papracedentë ndaj ShBA’së

Ishte kërkesë dhe këshillë e pesëshes së QUINT’it që kryetarët e rinj legalë të katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe të kryejnë “funskione jo më shumë se administrative” dhe të mos punojnë nga objekte “ku mund të mos jenë të qasshme dhe të dëshiruar”. Me betimin e tyre, u duk sikur qeveria kosovare e kishte marrë dhe pranuar këtë kërkesë të QUINT’it. Por, jo. Në ato objekte, tre kryetarët e rinj, nën shoqërim të madh të forcave policore dhe njësive elitare speciale, nisën punën, ku për reperkusion pati protesta nga popullata lokale e cila kishte dalur të bllokonte hyrjen. Këto protestues, arritën të shpërndaheshin nga policia. Këto veprime të autoriteve të Kosovës do të dënoheshin, si kurrherë më parë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëvendës Kryeministri Besnik Bislimi, që ishte i pari për të reaguar, e dha për punë të kryer që kryetarët do të operojnë nga ata objekte komunale. S’ka ndryshe, la të kuptojë ai. I dyti, Shefi i Kabinitetit të Zyrës së Kryeministrit, Luan Dalipi, i tha “jo, falemnderit” ShBA’së të cilët i akuzoi se po i mbyllin sytë ndaj veprimeve të Beogradit “për hir të mbajtjes së stabilokracisë”. I treti, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e bëri për pesë pare Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, me disa kritika e qortime për “përzgjedhje të balancuar të fjalëve”, “keqparaqitje të realitetit”, të cilat, nënkuptojnë, sipas tij, “thirrje që Milan Radojqiqi i sanksionuar dhe i listuar në Listë të Zezë nga (Ju) të komandojë kriminelët e tij për të sulmuar policinë kosovare”.

I pari për të reaguar nga ndërkombëtarët ishte ambasadori i shtetit aleat më të rëndësishëm të shtetit të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili në një gjuhë të padëgjuar më parë ndaj veprimeve të shtetit kosovar, i quajti “masa të dhunshme”. Një reagim i tillë la gojëhapur shumëkënd ngase shkonte përtej çdo reagimi të pritshëm të mundshëm.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë veprimi në bërje e sipër nga autoritetet e Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale në Veri të Kosovës. Masat e dhunshme të sotit duhet të ndalohen menjëherë”, shkroi Hovenier në Twitter gjersa aksioni i instalimit të kryetarëve në ato ndërtesa ishte në bërje e sipër.

Por, ky reagim i Hovenier s’ia kishte lënë shenjë kujt. I pari nga qeveria kosovare që u lajmërua ishte Zëvendës Kryeministri Besnik Bislimi, i cili pati shumë çka për të thënë për ngarjet e djeshme, por jo edhe ndaj reagimit të ambasadorit, por që mund të lexohej si reagim kryekëput ndaj tij. Objektet janë për kryetarët, tha Bislimi, prerazi.

Si kryetarё tё komunave, ata mund tё ushtrojnё pёrgjegjёsitё e tyre vetёm nga ndёrtesat e komunёs. Tё ardhur me votё, mund edhe tё rrёzohen me votё. Tё pёrzgjedhurit e qytetarёve si rregull rrallёherё gёzojnё mbёshtetjen e secilit qytetar. Por kjo nuk nёnkupton qё qytetarёt e pakёnaqur mund tё bllokojnё shkuarjen e tё pёrzgjedhurve nё vendet e tyre tё punёs”, shkroi Bislimi.

Pasi që reagimi i ambasadorit nuk mjaftoi, do të reagonte edhe i pari i diplomacisë amerikane, vetë Sekretari amerikan i Shtetit, i cili iu ra edhe toneve (para)lajmëruese, se kjo çfarë kishte ndërmarrë qeveria kosovare me këto “masa të dhunshme” do të linte “pasoja në marrëdhëniet tona me Kosovën”. Një gjuhë dënuese kaq e ashpër ishte në fakt edhe e frikshme, dëgjuar nga aleati dhe garantuesi më i madh shtetësisë së Kosovës. Më specifikisht, Albin Kurti, si kryeministër kosovar, shënohej me emër të përvetshëm në komunikatë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë brenda ndërtesave komunale në veri, veprime që i morri përkundër këshillave të ShBA’së dhe partnerëve evropianë. Këto veprime ashpërsisht dhe panevojë kanë përshkallëzuar tensionet, duke minuar (gërryer prej së poshtmi) përpjekjet tona për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja në marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën”, shkroi Anthony Blinken.

I bëjmë thirrje Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ndërrojë kurs dhe të gjitha palëve të pëmbahen nga veprimet e mëtejme që do të ndiznin tesnione dhe të promovonin konflikt”, përfundonte komunikata.

Thirrjes dhe vlerësimit të Blinken-it, të parët që iu kundërvënë ishte Shefi i Kabinetit të Kryeministrit, Luana Dalipi. “Jo falemnderit”, e përmbledhte ai reagimin e tij, përçka, në mënyrë implicite, Blinken-it i thoshte se “po mbyllë sytë” ndaj sulmeve të orkestruara që Beograd i bën në institucionet kosovare, “për hir të një stabilokracie”.

I dyti për të reaguar, ishte ministri kosovar i brendshëm. Edhe ky, s’do ta bënte hesap komunikatën më të rreptë në histori të lëshuar nga DASh drejtuar autoriteteve të Kosovës. Përveç kritikave ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Sveçla i dha edhe disa leksione se si do të duhej të vepronte superfuqia më e madhe e botës.

“Të etiketosh veprimet e ligjshme dhe të civilizuara të Policisë së Kosovës si ‘të dhunshme’ dhe operacionit të saj të sundimit të ligjit si ‘dhunë’ është ‘ftesë’ për Milan Radojçiqin e në listën tuaj të zezë që të komandojë bandat e tij për të sulmuar policët kosovarë”, shkroi Sveçla në kritikën e tij ndaj Anthony Blinken.

Sveçla i tha Blinken-it “t’i balancojë fjalët”.

“Të gjithë duhet të sillen përgjegjshëm. Çfarëdo humbje jete duhet të parandalohet me kujdes maksimal. Përzgjedhja e balanuar e fjalëve në këtë situatë është esenciale. Keqparaqitja e realitetit mund të rezultojë me kosto të humbjes së jetëve”, ka shkruar Sveçla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëhet i gjallë të nesërmen…

Objektet janë të Republikës së Kosovës, tha në rend të parë Kurti. Në këtë kuptim “ato nuk janë marrë e as nuk do të merren ndonjëherë”.

Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, shkroi ai./nacionale/