Balaj-Halimaj flet nga Washingtoni: Njohja reciproke është e pashmangshme, Serbia e di se kjo do të ndodhë

Me marrëveshjen e Uashingtonit, Serbia obligohet të ndalojë fushatën çnjohjeve ndaj shtetësisë së Kosovës, por Balaj-Halimaj thotë për KosovaPress se Kosova ka të drejtë të vijojë fushatën e lobimit për të siguruar njohje të reja.

“Vetëm ardhja e delegacionit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë në Uashington përbën fitore, sepse duke ardhur këtu ne kemi ruajtur marrëdhëniet e mira me aleatin tonë më të rëndësishëm. Mos të harrojmë që këto marrëdhënie vetëm para pak muajsh ishin të rrezikuara seriozisht! Të gjitha gjërat e tjera që kanë ndodhur sot përbëjnë fitore shtesë të shtetit të Kosovës, siç janë investimet e mëdha në infrastrukturë. Gjithashtu njohja nga Izraeli i shtetit të Kosovës në prani të presidentit Donald Trump përbën një fitore të madhe”, shprehet ajo.

Ndër të tjera, kryeministrja Balaj thotë se njohja nga Serbia është e pashmangshme.

“Njohja reciproke është e pashmangshme. Këtë e di edhe Serbia. Ajo do të ndodhë.

Sa më parë aq më mirë për të dy vendet. Këtu në Uashington që në fillim ka qenë e ditur që bëhet fjalë për një marrëveshje me karakter ekonomik. Të gjitha gjërat tjera që janë thënë apo mund të thuhen bëhen për konsum të brendshëm”, ka thënë ajo.