Bajrami reagon për dënimin që shqiptoi gjykata për vjedhjen në thesar: Të kthehen mjetet e vjedhura

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar për dënimin që ua shqiptoi sot Gjykata Themelore në Prishtinë dy të akuzuarave për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga thesari.

Vjedhja ndodhi në kohën kur Bajrami mbante pozitën e ministres së Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Avdullah Hotit.

Bajrami përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se beson që mjetet e vjedhura do të kthehen në buxhetin e Kosovës.

“E denoncova vjedhjen e 2.1 milionëshit dhe sot ka vendim të Gjykatës. Drejtësia duhet të shkojë deri në fund.  Vendimi i sotshëm i Gjykatës tregon se kur ka bashkëpunim në mes të institucioneve, rastet e vjedhjeve nuk ngelën pa u ndëshkuar.  Unë besoj shumë se organet e drejtësisë dhe institucionet tjera përgjegjëse do të bashkërendojnë aktivitetet, që mjetet e vjedhura të kthen sa më parë në buxhetin e shtetit.  Hajnat e kanë vendin në burg. Secili zyrtar që abuzon duhet të zbulohet, të denoncohet dhe hajnat duhet të marrin dënime kapitale”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Kujtojmë, se gjatë ditës së mërkurë, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykimin ndaj Labinot Grudës dhe Kadri Shalës, për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë nga Thesari i Shtetit, duke i dënuar me 21 vite burgim dhe 41 mijë e 500 euro.